Benjamin Ferati, 24 vjeçari nga Tetova i cili humbi jetën në Portonovë në përpjekje për të shpëtuar dy vajza nga mbytja, merr titullin Mirënjohje e qytetit të Vlorës. Titulli i është dorëzuar familjes se tij në Tetovë nga kreyebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, në një ceremoni të organizuar nga komuna e Tetovës ku i pranishëm ka qenë delegacioni nga qyteti i Vlorës.
Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e hapi ceremoninë me fjalë falënderuese për bashkinë e Vlorës.
“Kemi bashkëpunimin tonë që na e sjell afërsia reale dhe projektet tona të përbashkëta por njëkohësisht ky element njerëzor i cili ka ditët e mira dhe ditët e vështira. Ne jemi bashkë edhe kur e kemi mirë por edhe kur e kemi vështirë.”tha Arifi.
Pas ceremonisë kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka takuar edhe familjarët e 24 vjeçarit.
“Keni rritur, rritët një fëmijë të mrekullueshëm, një djalë që me ikjen e tij na tregoi të gjithëve se në momente të caktuara mund të jemi më shumë njerëz dhe të dalim nga vetja për tu treguar të tjerëve që ne vlejmë dhe vepra e djalit tuaj falë edukatës që mori në familjen tuaj është një nga ato akte heroike që nuk mund të kalojnë pa u vënë re,” u shpreh Leli.
Edhe mjeshtrja e madhe, Tinka Kurti, kishte mesazhin e saj për humbjen e dhimbshme të djalit nga Tetova.
“ Ka qenë një dhimbje jashtëzakonisht e madhe për të gjithë popullin shqiptar dhe nuk mund të rrinim ne nënat, gjyshet pa ardhur dhe njëherë me ngushëllu këtë familje kaq të edukuar, kaq të bekuar. Nuk përmbaj dot lotët,” nënvizoi Kurti.
Benjamin Ferati humbi jetën ne 15 qershor në Portonovë të Zvernecit në detin e trazuar të asaj dite për të shpëtuar 2 vajza vlonjate.
ma.me