Ankaraja dhe Moska janë pranë një marrëveshjeje në kuadër të shitjes së një sistemi antiajror rus Turqisë, konfirmoi sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Me Federatën e Rusisë, ne kemi bërë hapat e nevojshëm për këtë çështje… dhe shpresojmë të kemi shumë shpejt sistemet antiajrore S-400 në vendin tonë”, deklaroi Erdogan gjatë një fjalimi në Ankara.
Për momentin nuk është e qartë se për çfarë lloj marrëveshjesh, në kuadër të blerjes së këtij sistemi mbrojtës, ka folur Erdogan.
“Ne nuk do të bëjmë asnjë koment për këtë çështje”, reagoi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, cituar nga agjencia ruse e lajmeve “RIA Novosti”.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë janë përmirësuar ndjeshëm këto muajt e fundit, pas një krize të rëndë diplomatike për shkak të rrëzimit të një avioni luftarak rus nga Ankaraja në hapësirën ajrore në kufirin sirian në nëntor 2015.
Nëse do të konkretizohej kjo shitje e sistemeve mbrojtjese antiajrore ruse një vendi anëtar të NATO-s do të provokonte “kërcitje dhëmbësh” në Uashington, ndërkohë që marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së janë tendosur së fundi.
“Kur bëhet fjalë për siguri, një vend duhe të kërkojë të gjitha mjetet për ta garantuar atë në mënyrën më të menjëhershme të mundshme”, deklaroi Erdogan./b.d