Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë të jashtëzakonshme për betimin e Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta.
Pas betimit, Presidenti Ilir Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.
Fjalimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta në Ceremoninë e betimit në Kuvend:
E nderuar Znj. Leskaj drejtuese e seancës,
I nderuar Z. Kryeministër,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj deputetë,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
Miq dhe të ftuar! Të dashur bashkëkombas!
Sot kam nderin e veçantë t’ju përshëndes përzemërsisht dhe me ndjenjën më të madhe të përgjegjësisë Kushtetuese e qytetare, në cilësinë e detyrës më të lartë të Shtetit, në atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Në këto momente solemne, duke përcjellë falënderimet për Kuvendin e Shqipërisë që më zgjodhi në këtë detyrë kaq fisnike, më lejoni që t’ju dëshmoj solemnisht vullnetin tim të hekurt për të respektuar në gërmë dhe në frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë e mija Kushtetuese në interesin më të mirë të vendit, të kombit dhe qytetarëve shqiptar, pa kursyer në asnjë çast përkushtimin që kërkon lartësia e detyrës; integritetin, drejtësinë dhe pa-anshmërinë.
Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale.
Gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian.
25 vjet më parë u zgjodha deputet në këtë kuvend e sot më duhet të ndahem me jetën time parlamentare për të përmbushur një përgjegjësi të re dhe shumë të lartë, por i bindur në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Kuvendin në të ardhmen.
Në 25 vjet kam qenë pjesë aktive e opozitës dhe mazhorancës, kam përfaqësuar dy forca politike në detyrat nga më të rëndësishmet, kam qenë në vijën e parë të ballafaqimit politik por edhe të përpjekjeve për konsensus për realizimin e marrëveshjeve të rëndësishme për stabilitetin e të ardhmen europiane të vendit.
Ashtu sikurse 27 vjet më parë isha pjesë e lëvizjes studentore, thirrja e se cilës “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” mbetet akoma një projekt i pambaruar.
Unë besoj se papunësia, varfëria dhe emigracioni shqetësues i rinisë mbeten akoma “armiqtë” tanë të përbashkët të vërtetë.
Këto janë sfidat e përbashkëta më të vështira që duhen fituar në emër të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim e sidomos në emër të rinisë sonë dhe të ardhmes së vendit.
Reformat e qëndrueshme me rëndësi kombëtare, në funksion të forcimit të institucioneve dhe konsolidimit të pavarësisë së tyre, nuk mund të jenë produkt vetëm i një mazhorance, por i një sipërmarrjeje kolektive kombëtare, ku roli i opozitës është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm.
Një vit më parë në këtë Kuvend miratuam me konsensus të plotë ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, e cila është vendimtare për të ardhmen europiane të vendit.
Sot angazhohem edhe si President, për të mbështetur zbatimin e drejtë e transparent të kësaj reforme në interes të forcimit të shtetit të së drejtës, të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe përmirësimit të klimës së biznesit aq e domosdoshme për të rritur ekonominë tonë më tej e sidomos për të krijuar vende pune të mirëpaguara për të rinjtë tanë.
Zonja dhe zotërinj, të nderuar miq,
Përpjekjet tona demokratizuese dhe shtetformuese nuk do të kishin qenë të suksesshme pa mbështetjen e pakursyer të miqve dhe aleatëve tanë, të partnerëve ndërkombëtarë, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian.
Shqipëria jonë është prej disa vitesh anëtare e barabartë në NATO dhe pranë hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Faktori shqiptar në rajon është në kohët e veta më të mira.
Kosova është shtet i pavarur dhe ne besojmë se së shpejti do t’i gëzohet liberalizimit të vizave me BE-në dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj.
Shqiptarët në Maqedoni janë me mundësi shumë më të mëdha se në çdo kohë tjetër për ta çuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në një stad të ri më cilësor.
Në Mal të Zi shqiptarët kanë qenë një faktor me peshë për ta orientuar shtetin e tyre drejt aleancave perëndimore.
Më shumë të drejta meritojnë shqiptarët e luginës së Preshevës, që do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë të pakursyer.
Pavarësisht statusit të tyre brenda shteteve ku ndodhen, si shumicë apo pakicë, shqiptarët kanë luajtur e po luajnë rol stabilizues, konstruktiv dhe emancipues në gjithë rajonin tonë.
Unë jam besimplotë për të vazhduar angazhimet tona maksimale për respektimin e të drejtave të pakicave etnike e kulturore në Shqipëri, në pajtim të plotë me Konventën Europiane dhe atë Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Me të njëjtën përgjegjësi që respektojmë pakicat brenda vendit nuk do të rreshtim së kërkuari prej vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të tyre.
Në botën e sotme, që shkon pandalshëm drejt proceseve globalizuese dhe ndërvartësisë së përgjithshme, oportunitetet, si dhe kërcënimet ndaj paqes dhe rendit botëror nuk njohin kufij gjeografikë.
Prandaj ne do të vazhdojmë t’u përgjigjemi pozitivisht detyrimeve tona për zgjidhje të përbashkëta.
Përkrah me partnerët tanë euro-atlantikë, ne do të luajmë rolin që na takon në sfidat e përbashkëta, të cilat, drejtpërsëdrejti a tërthorazi, prekin edhe sigurinë tonë kombëtare, dhe këtu kam parasysh në radhë të parë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Të nderuar kolegë deputetë!
Më 28 prill vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje sesa me zemër sepse opozita nuk ishte këtu.
Por sot dua t’ju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër dhe bindje të plotë se zgjedhja që bëra në atë moment dha kontributin e saj modest edhe për të evituar një krizë që vendi dhe e ardhmja e tij europiane nuk e meritonin.
Duke ju falënderuar të gjithëve dua t’ju siguroj se në ushtrimin e kësaj përgjegjësie kaq të lartë që Kuvendi i Shqipërisë më ka besuar do të udhëhiqem vetëm nga dashuria e pakufishme për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, duke lënë pas bashkë me 25 vitet e mija në këtë kuvend çdo debat apo përkatësi politike që kam patur për t’iu përgjigjur lartësisë së re të detyrës së Presidentit të Republikës.
Vetëm Demokracia mund të më jepte mua mundësinë që të shërbeja edhe si Kryeministër, Kryetar Kuvendi e nga sot si President i Republikës.
Ndaj me ndjenjën e mirënjohjes për ju e për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë të cilët presin më shumë nga ne, dua t’ju siguroj se për Presidentin e ri, Shqipëria dhe Demokracia do të jenë gjithnjë të Parat.
Faleminderit!