Publikohet telegrami që Nexhmije Hoxha i dërgoi në 1990-ën liderit afrikano-jugor me ngjyrë, që u bë simbol i qëndresës dhe luftës kundër politikës së aparteidit
Në 1990-ën, në burgjet e regjimit komunist të Shqipërisë, kishte shtatë “Mandela”, që vuanin dënimin prej më shumë se 30 vitesh?!
Në shkurt të vitit 1990, pas një qëndrimi prej 28 vjetësh në burgjet e regjimit të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, lideri me ngjyrë i lëvizjes dhe luftës për liri e të drejta të barabarta ndaj shtypjes racore që u bëhej bashkombasve të tij, u lirua nga burgu. Gjë e cila ndodhi edhe pas një presioni të madh ndërkombëtar, kur “qeveria e bardhë” e presidentit Frederik de Klerk, legalizoi të gjitha partitë politike dhe liroi shumicën e të burgosurve politikë. Para se të ndodhte kjo, në vitin 1985, Mandelës i ishte ofruar lirimi me kusht që të mos angazhohej më në rezistencën e armatosur, gjë të cilën ai nuk e pranoi por vazhdoi të qëndronte në izolim.
Lirimi i Mandelës nga burgjet i cili u prit si hero nga mbështetësit e tij, pati një jehonë të madhe ndërkombëtare, pasi ai falë dhe karizmës së tij, cilësohej si simbol njeriut të guximshëm që luftonte për liri dhe të drejta të barabarta.
Por edhe pse iu mohua liria për gati tre dekada me rradhë, duhet thënë se Mandelës i ishte dhënë jo vetëm e drejta e shkollimit, (fakulteti i Drejtësisë në Johanesburg), por edhe më pas, ai kishte marrë licencën dhe ushtronte profesionin e avokatit në një studio ligjore në kryeqytetin, Johanesburg, së bashku me kolegun e mikun e tij, Oliver Tumbo. Studio të cilën ai më shumë e përdorte për mbledhjet e organizatës që ai udhëhiqte dhe githashtu për organizimin e sulmeve të armatosura ndaj objekteve qeveritare?!
Gjithsesi lirimi nga burgu i Mandelës siç thamë pak më lart pati një jehonë të madhe, gjë cila nuk mund të mos kalonte në heshtje dhe në Shqipërinë komuniste, pasi prej vitesh Tirana zyrtare e kishte shpallur regjimin afrikano-jugor si një nga armiqtë më të mëdhej të saj, pas SHBA-ve, Bashkimit Sovjetik dhe Izraelit?! Në këtë kontekst, në atë kohë edhe Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit komunist që drejtonte “de facto” Shqipërinë, nuk mungoi që t’i dërgonte një telegram urimi Nelson Mandelës. Gjë e cila e parë në optikën e sotme, tingëllonte dhe ishte një hipokrizi e paparë?!
Pasi në atë kohë, (1990), në burgjet e regjimit komunist kishte disa “Mandela”, që vuanin si të dënuar të ndërgjegjies prej disa dekadash. Si p.sh.; Sami Dangëllia (43 vjet, vdiq në burg), Osman Kazazi (42 vjet burg), Petrit Velaj (38 vjet burg), Ilia Tereska, (34 vjet burg), Mersin Vlashi (33 vjet burg), Preng Gjonmarkaj (30 vjet burg), Pjetër Arbnori (28 vjet burg), Adem Allçi (27 vjet burg), etj etj. Dhe burgu që ata po vuanin akoma në atë kohë që zonja Hoxha i uronte lirimin Mandelës, ishte me kushte tejet çnjerzore, të zhveshur e të zbathur e me një ushqim sa për të mbajtur shpirtin gjallë dhe në kufijtë e mbijetesës.
Për të mos thënë për të drejta dhe liri njerzore, gjë të cilat duhet thënë se nuk i mungonin Nelson Mandelës, pa diskutuar trajtimin në izolim me kushte shumë të mira (televizor dhe ushqimi deri me mish fazani?! Dhe të gjitha këto në regjimin afrikano-jugor të Presidentit de Klerk, i cili disa vjet më vonë së bashku me Mandelën mori çmimin Nobel për Paqen?!
Por pa u zgjatur në krahasimet në mes trajtimit të Mandelës së Afrikës së Jugut dhe “Mandelave shqiptarë”, pasi thuhet se; “gjithkujt i mjaftojnë vuajtje e veta”, përveç hipokrizisë së zonjës Hoxha, ajo që bie në sy telegramin e saj dërguar Mandelës, është cilësimi që ajo i bën atij dhe adresa ku është dërguar telegrami (ambasada shqiptare në Dar Es Salam)?!
Pasi siç duket dhe nga telegrami në fjalë (shiko faximilet përkatëse), ajo e quan Mandelën, “liderin e popullit azanian”, (emri i vjetër që nga koha e Greqisë së lashtë i Afrikës së Jugut), dhe jo Afrikës së Jugut, lider i së cilës ishte në fakt Mandela, shtet të cilit ajo nuk ja përmëndëte dot as emrin?!
TELEGRAM
ZOTIT
NELSON MANDELA
Me kënaqësi të veçantë mësuam lirimin Tuaj nga vuajtjet dhe mundimet e shumta dhe të gjata në burgjet e regjimit të Pretorias.
Kjo na jep rastin e shumëpritur pë t’Ju shprehur urimet më të mira dhe përshëndetjet më të ngrohta vëllazërore të Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe të mijat personale.
Populli Azanian për një kohë të gjatë ka luftuar heroikisht për realizimin e aspiratave të tj të larta, të lirisë, barazisë dhe demokracisë, kundër forcave të errta e të egra raciste dhe politkës së tyre të apartejdit. Ai mund të jetë krenar që ka nxjerrë nga gjiri i tij një udhëheqës të tillë siç jeni Ju, që, me qëndrimin e vendosur ndaj kauzës së të drejtave kombëtare u bë një shëmbull i madh frymëzimi.
Populli ynë ka shprehur dhe do të shprehë gjithë solidaritetin me përpjekjet e gjithëanëshme të popullit Aziaian për shëmbjen e sistemit të apartejdit me bindjen e plotë se lufta e tij do të vazhdojë dhe do të kurorëzohet me fitore, dhe të vendosë paqen dhe demokracinë e vërtetë, si të drejtat e tij të pamohueshme, në rrugën e përparimit shoqëror.
Në emër të mbarë popullit shqiptar Ju shprehim ndjenjat tona më të thella të simpatisë, ndaj Jush dhe ndaj popullit azianian. Ju urojmë suksese të mëtejshme në luftë për krijimin e një shoqërie të barazisë, lirisë dhe pavarësisë kombëtare.
Nexhmije Hoxha
Tiranë, më 15.2.1990 Kryetare e Këshillit të Përgjithshëm
të FRONTIT DEMOKRATIK TE SHQIPERISE
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
TELEGRAM
Ambasadës:
DAR ES SALAM
Merrni takim me përfaqësues të Kongresit Kombëtar Azianian
(ANC) dhe saktësoni me të adresën e Nelson Mandelës pasi nuk dimë ku t’i drejtojmë telegramet e urimit. Presim urgjentisht.
Tiranë, më 15 2.1990 Min. Jashtëme