Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë ka reaguar për publikimin e raportit vjetor të DASH për trafikimin e qenieve njerëzore, në të cilin theksohej se një deputet i Parlamentit të Shqipërisë është i dënuar për trafik.
Përmes një komunikate për shtyp, ambasada e SHBA në vendin tonë, nënvizon se është e turpshme që Shqipëria ka në parlament një deputet i dënuar për trafikimin e njerëzve. Ambasa shprehet se shqiptarët kanë të drejtën për t’u përfaqësuar nga persona me integritet dhe jo kriminelë.
Në të njëjtën kohë, ambasada amerikane thekson se do të vijojë t’u kërkojë partive politike në Shqipëri që të largojnë personat e inkriminuar. Nga ana tjetër, ambasada amerikane vlerëson edhe përpjekjet e bëra nga qeveria shqiptare në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore.
“Në vijim të interesimit nga media për Raportin e Departamentit të Shtetit për Trafikimin e Personave për 2015, Ambasada e SHBA dëshiron të vërë në dukje se raporti vlerëson se Qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standartet minimale për eleminimin e trafikut. Ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve. Në të njëjtën kohë, Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë.” thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA në Shqipëri