Emergjencat Civile njoftojnë se gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 18 vatra zjarri.
Për shuarjen e zjarreve janë angazhuar mbi 154 zjarrfikës me 30 automjete, 54 forca vullnetare, 50 forca të Ushtrisë, njësi të FNSH si dhe helikopterë.
Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
QARKU TIRANË
Në fshatrat Ibë dhe Hekal, Nj/A Bërzhitë, Tiranë, ka rënë zjarr në një pyll me pisha. Zjarri, i favorizuar edhe nga era ka marrë përmasa të mëdha dhe ka rrezikuar disa banesa, si dhe 2 shtylla të tensionit të lartë.
Si rezultat i operacioneve të kryera u bë e mundur izolimi i vatrave që rrezikonin banesat dhe 2 shtyllat e TL.
Gjatë gjithë natës forcat e zjarrfikëses, të ushtrisë, së bashku me forca të dërguara nga FNSH Tiranë, kanë punuar për të mbajtur në kontroll vatrat e zjarrit. Aktualisht helikopteri po punon për shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.
Është riaktivizuar vatra e zjarrit në pyllin me pisha në vendin e quajtur “Mali i Derjes”, mbrapa antenave të kompanive të telefonisë celulare, në malin e Dajtit. Zjarrfikësit dhe forcat e pyjores, të mbështetura nga forca të Ushtrisë kanë ndërhyrë me mjete rrethanore dhe kanë izoluar vatrat e zjarrit.
QARKU ELBASAN
Në territorin e Uzinës së Mjeksit në qytetin Elbasan ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra jashtë dhe brenda perimetrit të uzinës. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur shuarjen e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogjën vetëm shkurre dhe ferra.
Në fshatin Kishte, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në pyll me ah në Malin e Vinës. Punonjësit e zjarrfikëses kanë mundur ta vënë nën kontroll dhe ta shuajnë zjarrin. Si pasojë u dogj 3.5 ha me fidanë ahishte të vogla.
QARKU SHKODËR
Në Qafë-Mali, bashkia Fushë-Arrëz, ka rënë zjarr në pyll pishe dhe lisi. Zjarrfikësit të mbështetur dhe nga punonjës të pyjores e banorë të fshatit kanë vënë në kontroll dhe izoluar zjarrin.
Në Barbullush, bashkia Vau-Dejës ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë varrezave të fshatit. Punonjësit e zjarrfikëses të ndihmuar edhe nga forca të bashkisë Vau-Dejës dhe punonjës të pyjores kanë mundur ta shuajnë zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën shkurre dhe ferra.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Leskovec, bashkia Këlcyrë ka rënë zjarr në një sipërfaqe toke me të korrura (hamullore). Forcat zjarrfikëse të ndihmuar edhe vullnetarët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj 1 ha me hambulla.
QARKU FIER
Në lagjen “Kryengritja e Fierit”, bashkia Fier ka rënë zjarr në shkurre e ferra dhe tubacionin e gazit në brigjet e lumit “Gjoricë”. Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikës është arritur të shuhet zjarri. Si pasojë u dogjën shkurre dhe ferra.
QARKU BERAT
Në fshatin Bistrovicë, bashkia Ura Vajgurore ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra. Ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur shuarjen e zjarrit pranë banesave dhe shkollës 9-vjeçare. Si pasojë e zjarrit u dogjën shkurre e ferra dhe 10 rrënjë ullinj të moshës së re.
Në fshatin Mbjeshovë, bashkia Berat ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra. Vatra e zjarrit është fikur pas ndërhyrjes së zjarrfikësve me mjete rrethanore. Si pasojë e zjarrit u dogj 4 dynym me shkurre dhe ferra.
QARKU KORÇË
Në fshatin Sheqeras, bashkia Maliq ka rënë zjarr në banesën 1-katëshe të disa shtetasve. Ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur fikjen e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogjën orenditë dhe pjesë të ndryshme të banesës. Grupi i ekspertëve ka shkuar në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.
QARKU LEZHË
Qarku Lezhë. Në fshatin Malaj bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një masiv me pisha të larta. Zjarri ka qenë në terren tepër të thepisur e ka pasur përmasa të mëdha dhe intensitet të lartë. Në këtë vatër zjarri po punojnë për ta fikur punonjësit e zjarrfikëses, ata të bashkisë si dhe helikopteri. Zjarri është izoluar por pa ndërhyrje nga ajri, është e pamundur fikja e tij.
Në Mamurras ka rënë zjarr në disa kallamishte në afërsi të stacionit të trenit, pranë disa banesave. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe e shuan zjarrin, duke shpëtuar banesat nga djegia.
Në Laç, u shkaktua ra zjarr aksidentalisht në apartamentin e një shtetasi i shkaktuar një bombul gazi. Zjarrfikësit ndërhynë dhe fikën flakët. Si pasojë e zjarrit u dogjën disa orendi të shtëpisë.
QARKU KUKËS
Në Zonën e Mbrojtur Valbonë, tek vendi i quajtur Pecmarre, bashkia Tropojë ka rënë zjarr në pyll me pisha dhe kullota. Zjarri është shkaktuar nga një rrufe, në lartësinë 2000 metra, në një terren tepër të thepisur e shkëmbor prandaj forcat nuk kanë mundur të ndërhyjnë por zjarri është fikur vetvetiu, duke djegur një sipërfaqe të vogël në perimetrin e tij.
Në fshatin Dushaj, bashkia Tropojë ka rënë zjarr në një zonë me shkurre dhe ferra. Zjarrfikësit, së bashku me punonjës të bashkisë, kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 7 dynym me shkurre dhe ferra.
QARKU VLORË
Në zonën e Pyllit të Sodës ka rënë një zjarr në zonën me pisha. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me forca e mjete duke shuar vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogjën 6 ha me hala pishe.
Në Armen, bashkia Selenicë, ka rënë zjarr në pyll me shkurre dhe kullotë. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj 6 ha me shkurre dhe kullotë.
Në lagjen “Sinan Bllaçe” të qytetit Delvinë ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra midis banesave. Forcat zjarrfikëse kanë mundur ta shuajnë zjarrin. Si pasojë u dogjën shkurre dhe ferra.