Vala e refugjatëve nga Ballkani në Gjermani vazhdon. Politikanë e ekspertë nuk po lodhen së propozuari rrugë për përballimin e fluksit.
Ralf Borchard pyet pse ky preokupim tani, kur problematika ka qenë e njohur?
Shumë energji shpenzohet me grindjet për kompetencat, me kalimin e përgjegjësisë sa tek komunat, sa tek landet dhe federata – apo mes shteteve të Bashkimit Europian. Ndërkohë që një koncept i përgjithshëm i vlefshëm mungon. Por shumica prej propozimeve që vijnë janë zgjidhje në dukje: Le të marrim për shembull detyrimin e vizës. Ai është hequr gati për të gjithë qytetarët nga Ballkani dhe për këtë ka pasur arsye.
Nëse do të rivendosej sistemi i vizave, problemi nuk do të zgjidhej – e për këtë mjafton të hedhim sytë nga Kosova. Këtu vlen ende detyrimi për vizë, megjithatë kosovarët kanë ardhur në një numër shumë të madh në Gjermani. Shembulli tjetër: Qendra pranimi ku bëhet ndarja e refugjatëve, thënë ndryshe kampe dëbimi. Pse duhet të ngrihen qendra akomodimi posaçërisht për refugjatët nga Ballkani për të trajtuar më shpejt kërkesat e tyre? Me këtë nuk dua ta reduktojmë problemin.
Kriza ekonomike godet më shumë vendet e varfra të Ballkanit
Po, është e vërtetë që 99,9% e refugjatëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë të drejtë për azil politik. Ata vijnë për arsye ekonomike dhe sociale. Janë romët ata që më së shumti diskriminohen e përjashtohen në këto shoqëri, është kriza ekonomike ajo që më së shumti godet vende të tilla të varfra, ku edhe njerëzit mjaft të kualifikuar nuk kanë shanse për punë e perspektivë, kjo edhe sepse Gjermania dhe vendet e BE-së e kanë injoruar Ballkanin në vitet e fundit.
Po, duhet të reduktohen stimujt e motivimi për ata azilkërkues që nuk kanë asnjë shans për njohjen e azilit: Përmes fushatave të sqarimit në vendet e origjinës, me qëllim që njerëzit të mos bien pre e premtimeve boshe të trafikantëve. Përmes influencës së politikës në këto vende. Përmes ndihmës ekonomike dhe investimeve që krijojnë vende pune atje. Por në të njëjtën kohë për forca të kualifikuara – dhe nga ata ka shumë në Ballkan – duhet të krijohen mundësi më të mira që ata të punojnë në Gjermani. Ne kemi nevojë për ata, jo vetëm në sistemin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit, ata duan të vijnë tek, shumë prej tyre, me qëllim që një ditë të kthehen dhe të ndërtojnë vendin e tyre.
Me veprime aksioniste nuk zgjidhet problemi i refugjatëve nga Ballkani. Ai është pjesë e një zhvillimi migrimi afatgjatë, nga i cili përfiton edhe Gjermania. “Dëbimi i shpejtë”, “mbyllja e shpejtë e kufijve” – parulla të tilla nuk ndihmojnë aspak po të kemi parasysh kompeksitetin e botës së sotme.