Debatit dhe replikave të ashpra ndërmjet zyrtarëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes i është bashkuar edhe një ish-koleg i Dardan Molliqajt, i cili këtij të fundit ia ka dhënë edhe një goditje të re.
Ish-koordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Arton Muhaxheri, i cili tash është pjesë e PDK-së, ka shkruar se Molliqaj si iniciator i shumë veprimeve kriminale po mendon që me Kosovën mund të sillet si me aktivistë të Vetëvendosjes, duke kërcënuar dhe shantazhuar.
Lëvizjen Vetëvendosje, Muhaxheri e ka quajtur edhe organizatë kriminale, që dhunën e përdor si mjet politik.
“Dardan Molliqaj, ky iniciator i shumë veprimeve kriminale, po mendon që me Kosovën mund të sillet siç sillet me aktivistë në Vetëvendosje, duke kërcënuar dhe shantazhuar gjithë ata që nuk pranojnë mendimet dhe veprimet e tij.
Madje, aq larg shkon mendësia e tij dhe këlyshëve të tij, saqë edhe aktivistët e tyre i çiftojnë mes veti për të mos e përzier gjakun me të partive të tjera.
Lëvizja Vetëvendosje është organizatë kriminale, që dhunën e ka përdorur si mjet politik, kurse të rinjtë e shpërlarë ideologjikisht si agjentë për ekzekutimin e urdhrave të Molliqajt. Sa më herët që kuptohet kjo nga të gjithë, aq më mirë!”, ka shkruar Muhaxheri, përgatiti Express. (b.an)