Nga Majlinda Bregu
Në cdo lajm prej dje e deri sot, titulli për këtë takim ishte: mblidhet në Tiranë grupi anti- Basha. Mua më duket se kjo është qasja më e përciptë për të pasqyruar dramën në të cilën ndodhet PD sot.
Unë nuk jam anti- Bashë. Por për të qenë e qartë deri në fund po e përsëris dhe njëherë: Nuk më intereson fare personazhi Lulzim Basha. Edhe pse Lulin e njoh pak më gjatë se të gjithë ju.
Unë dhe Lulzim Basha i jemi bashkuar në një ditë zyrtarisht PD. Por dicka na pengoi gjithmonë për të besuar njëri tjetrin. Mua më pengoi intuita, atë frika.
Por unë s’jam as sot as kam qenë ndonjë ditë kundër tij. Sigurisht nuk kam qenë as shoqëruese e mendimit pa mendim politik të tij. Nuk e kam zgjedhur për kryetar dhe nuk jam penduar për këtë. Ndaj nuk kam arsye të ndjehem e zhgënjyer dhe as jam e zemëruar me të, aq më tepër të them se e urrej. Urrejtja duhet merituar dhe nuk shpërdorohet për këdo. Luli është thjesht një i paaftë për të menduar.
Thjesht unë ndahem me të, në mënyrën se si e duam PD. Unë e dua Parti të Demokratëve anëtarë të saj po e po, por mbi të githa e dua partinë e shpresës për shqiptarët që duan demokracinë. Nëse do ta kishim dashur PD njësoj, sot nuk do të ishim këtu.
Me dhimbje e them që këto vite PD nuk ishte as ajo që donin anëtarët dhe as ajo që donin shqiptarët. Nuk jam jashtë asaj cka ndodhi këto vite madje edhe ju kërkoj ndjesë pse nuk kam bërë unë dicka më shumë që PD të mos kishte këtë formë pa formë, pa ideologji, pa shtresat natyrale mbështetëse ndaj saj, pa entuziazëm dhe pa frymë ndryshimi.
Thënë këtë, më lëjoni të them edhe si e shoh sot me 21 korrik.
Deri në 25 qershor, Lulzim Basha ishte i vetmi përgjegjës për katrahurën dhe shkërmoqjen elektorale të PD.
Por pas 25 qershorit ai nuk është më përgjegjës i vetëm. Është një ndër ata që nuk kanë dashur të harxhohen as me fjalë e as me shpirt, për fatin e mëtejshëm të Partisë Demokratike, është një ndër ata që valëvisin ofiqin apo mandatin si mantel pas supeve dhe nuk bëzajnë për ndjesinë e humbjes e të fyerjes që ndjejnë sot demokratët, për zhgënjimin ndaj njëri tjetrit dhe për rrugën pa krye në të cilën enden sot ata që I kanë besuar kësaj Partie.
Po. Basha është vetëm pasqyrimi më spektakolar i problemit të madh që ka PD!
Një forcë politike që ecën qorrazi, pa vendimmarrje në forume; pa dëgjuar demokratët;pa standarte gare të ndershme; pa lista anëtarësie; me struktura partie të ç’organizuara dhe mbi të gjitha: duke I ikur të vërtetës cdo ditë.
Nuk kam qenë në bashkëbisedimet e tjera që Astriti ka zhvilluar këto kohë me demokratët. Sot ua kisha borxh demokartëve të Tiranës të cilët më besuan për tre herë radhazi në parlament.
E di që shumë kanë pyetur pse s’kam qenë. Madje dikush nga miqtë më tha: “heshtja këto ditë nuk është flori”. I mirëkuptoj të gjithë. Por ju kërkoj të më mirëkuptoni edhe ju. Nuk kisha fuqinë e sigurisë se kur flet dëgjohesh dhe gjërat ndryshojnë.
Kam folur e stërfolur këto vite për këto probleme,për mungesën e transparencës, për vendimet e padiskutuara, për mbledhjet mediokre të grupit parlamentar, për zhbjerrjen e ideologjisë dhe për frymën përcarëse në PD. Sikurse s’kam lënë përpjekje pa bërë dhe influencë pa ushtruar që PD të hynte në zgjedhje. I kam akoma në sy kokat e ulura e heqjet e vështrimit në mbledhje grupi dhe kam akoma në vesh tingujt e kujt më akuzonte hapur apo tinëz në hauret e harbutëve politikë e mediatikë se kush flet për problemet e PD-së bën axhendën e Edi Ramës.
Fatkeqësisht koha më dha të drejtë. Dhe jo vetëm mua. Por kjo nuk më bën të ndjehem më mirë.
I jam bashkuar PD-se si një parti që e krijuan njerëzit , jo iluzionet, nevoja për liri për të folur dhe jo frika për të menduar.
Por më ndjeni, kjo rryma vetëshkatërruese, që ka mbërthyer PD këto vite, nuk ka asnjë lidhje me idenë time se si duhet të jetë forca politike të cilës I përkas.
3 janë momentet që vlerësojnë demokracinë e brendshme në një parti:
-zgjedhja e kryetarit
-zgjedhja e listës elektorale
-vendimarrja nëpër forume
Në të treja ne kemi një deficit të qartë demokracie dhe degradim të standarteve që mbajnë bashkë një parti apo një grup cfarëdo qoftë ai.
Kryetari zgjidhet pa garë. Kandidatët zgjidhen pa u konsultuar, forumet janë injoruar në mënyrën më të shëmtuar.
Dhe nuk është rastësore që paaftësia e kryetarit të partisë për të menduar u kthye në tiparin dallues të PD-së së këtyre viteve. Tërësisht e mbyllur për të reflektuar, dëgjuar,debatuar, ndryshuar. Një forcë politike në të cilën përligja e humbjeve ishte mbi cdo gjë dhe ku nuk ndryshohej asgjë. Nuk mund të jëtë normale që të shkojmë nga “fitorja në fitore” duke quajtur fitore humbjen apo duke u krenuar për humbjen si heroizem përballe krimit! Kjo parti është përballur me Byronë Politike apo me një qeveri që vrau ne mes te Tiranës Azem Hajdarin dhe u rikthye në pushtet pasi u përball jo vetëm me kundërshtarin, por edhe me vetveten!
Ndaj nuk jemi ne prishaqejfës sot pse nuk isha në listat e Bashës. Do ta pranoja këtë gjykim nëse do të kisha folur pas listave të tij. Por jo. S’kemi pritur fundin për të thënë më në fund atë që mendojmë. Kemi folur për të shmangur këtë gjendje ku jemi sot. Humbës dhe të përçarë.
Nuk pat kjo fushatë gjëkundi një përpjekje reale për të dalë nga qorrsokaku pa dritë ku ndodhet sot PD-ja. Por cka është sot, është rrjedhojë e zbrazëtisë të mbushur me inat e mediokritet në oborrin e Pd-së, të konfiktit të pacipë mes vetes dhe me gjithë botën,të ngulmimit për ta gjetur vegjen e fajita gjthmonë jashtë oborrit tonë. E sikur këto të mos mjaftonin, na u dashka që cdo humbje ta shpallim akt triumfi!
Dua megjithë shpirt ta kem gabim, por zgjedhjet e sotme të Pd-së më ngjajnë me një përshpirtje në errësirë.
Janë një përpjekje e dëshpëruar për t’I ikur përgjegjësisë. Dhe PD-ja e 22 korrikut nuk do ndezë dot asnjë dritë shprese tek demokratët që nuk e votuan në 25 qershor. Dhe nuk pres asfare të ndezë ndonjë dritë shpresë tek ata që nuk duan të votojnë për askënd.
Ndaj kjo nuk është betejë personale, për të zëvendësuar Bashën me një emër tjetër.
Është nevojë për të braktisur qasjen që na dëmtoi të gjithëve. Dëmtoi demokratët dhe dëmtoi shqiptarët. Është domsodoshmëri për t’I ikur fitoreve imagjinare të ideologjive imagjinare me republika imagjinare që në fund sjellin ndëshkim të paimagjinueshëm.
Do te doja shume te isha gabim. Do doja shume qe koha te me provonte mua “te paaftë për të kuptuar”, se ne fund të fundit kjo s’do t’I bënte PD-së dëmin që I bëri “I paafti për të menduar”. Por kam frikë se nuk jam gabim. Nuk jam gabim kur them atë që mendoni secili prej jush: këto vite vetmja strategji fituese në PD ishte investimi tek vetshkatërrimi dhe përcarja.
Do të doja të isha gabim kur mendoj se PD-ja do dalë më e dobët jo më e fortë nga zgjedhjet e 22 korrikut.
Do doja të isha gabim kur mendoj se nësë do të bërtasim fitore sa herë do të kemi fitore si këto të Lulit, nëse do vazhdohet me armiq klase, e urrejtje te pamenaxhueshme brenda llojit, nuk ka cadër që do ta shpëtojë PD nga rrebeshet e ardhshme elektorale.
Që të jem e sinqertë me veten dhe me ju, nuk konformohem dot sot, as me ata që më dhanë të drejtë me vonesë. Te cilët nuk ka më asnjë rëndësi që heshtën kur s’duhej, po ka shumë më tepër rëndësi se prej këtij zgjimi të vonë, nuk mundëm të ndalim shfaqjen më të shëmtuar e të shtirë te demokracisë në Partinë Demokratike, 22 Korrikun.
Unë nuk do të votoj nesër. Nuk marr dot vendim për asnjë prej jush, por do t’ju kujtoja me përunjësi të mendoni nëse Shqipëria është me e mirë me PD e vërtetë, apo me përshpirtjet e nesërme për të. Më dhemb kjo që po ju them. Por,kjo është hera e parë kur me plot gojën them: vota nesër nuk ka asnjë vlerë!
Të më ndjejë z. Selami, për të cilin kam respekt, por vota nesër nuk e bën PD-në më të mirë, më të fortë, më të bashkuar.
Dhe një forcë politike që nuk kontribuon dot për bashkimin brenda vetes e ka të pamundur të kontribuojë nesër për një Shqipëri ku jetohet.
Për të kuptuar këtë nuk duhet të jesh i zgjuar. Mjafton ta duash Shqipërinë dhe Partinë Demokratike. Pse nuk ka besim tek PD e sotme, Shqipëtarët kanë më pak shpresë se Shqipëria do të ndryshojë.
Për te ndryshuar Shqipërinë, demokratët duhet të ndryshojnë më parë PD-në.