Në një kohë kur të gjithë kanë vërshuar akuzat ndaj kreut në ikje të FIFA-s Sepp Blatter për afera korruptive, është Presidenti i Rusisë Vladimir Putin i cili ka thurur elozhë për të. Gjatë hedhjes së shortit për kampionatin botëror që do të zhvillohet në rusi në 2018, Putin tha se 79-vjecari është i denjë për të fituar çmimin Nobel.
“Të gjithë e dimë se si është situata. Unë nuk dua të hyj në detaje por nuk besoj asnjë fjalë që thuhet për të dhe nuk mendoj se ai është i përfshirë në çështjet korruptive. Njerëz si Sepp Blatter, apo drejtues të tjerë të lartë të organizatave sportive meritojnë një mirënjohje të veçantë. Nëse ka njerëz që meritojnë çmimin Nobel janë këta njerëz” u shpreh Putin.
Sepp Blatter, dha dorëheqjen nga posti i presidentit pas skandalit të ndodhur në institucionin e FIFAs, ku u arrestuan disa zyrtarë të lartë për korrupsion. Gjatë muajit të kaluar zvieriani deklaroi dorheqjen nga posti i presidentit, por që do ta mbajë deri në zgjedhjet e reja për kreun e FIFA-s.