Nga Ardit Rada
Ish-kreu i KQZ, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i PD dhe deputet i kësaj force politike është raportuar të ketë rënë pre e një grabitje banese. Bëhet fjalë për një hyrje me forcë në shtëpinë e tij në Gjirin e Lalzit, ndërkohë që lajmi i raportuar nga mediat është konfirmuar ‘me hile’ nga i grabituri.
Arben Ristani ka konfirmuar përmes Facebook se në banesën e tij është grabitur vetëm një celular ndërsa bashkëshortja dhe kunata e tij ishin në gjumë. Në fakt, është një lajm i shëmtuar dhe një ngjarje e rëndë për familjen e cilitdo që t’i ndodhë diçka e tillë.
Fatmirësisht, Ristani thotë se është vjedhur vetëm një celular ndërkohë që e lidh këtë me mungesën e sigurisë, rendit dhe frikën që ai thotë se mbizotëron në vend vetëm këto 2 vitet e fundit (?). Ristani shprehet se e ka denoncuar në vazhdim vjedhje në emër të PD, duke lënë të nënkuptohet se edhe pre e grabitjes ka rënë si denoncues.
Ai shkon më tej teksa pranon si mbreti i përrallave që vesh petkat e lypësit e del qytetit, se “më duhej ta provoja në lëkurën time që ta kuptoja sesi ndihet populli”. Që zoti Ristani nuk e ka të qartë sesi ndihet populli, aq më tepër kur je banor i një ‘fshati ekskluziv’ siç është Lalzit, është e kuptueshme.
Familja e ish-kreut të shumë debatuar të KQZ-së, punë për të cilën u shpërblye më pas, sot ka një celular më pak, por shyqyr Zotit ka ende vilën në Gjirin e Lalzit.