Kryetari i PS-së së Tiranës Saimir Tahiri zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e FRESSH, në kampingun e Jalës duke u dhënë përgjigje disa pyetjeve me interes për qeverisjen e ardhshme, reformën në drejtësi, administratë, angazhimit të të rinjve në politikë, por edhe nëse ai do jetë sërish ministër i Brendshëm në kabinetin ‘Rama 2’.
“Reforma në drejtësi ka filluar dhe është një proces që zor se ka kthim pas. Por unë nuk besoj se reforma në drejtësi, do të fusë drejtësinë në mendjen e njerëzve. Kështu që duhet pak luftë nga të gjithë dhe kjo kërkon kohë. Nuk është aq e lehtë”, deklaroi Tahiri.
Çështje diskutimi ishte korrupsioni në administratën publike dhe niveli profesional i punonjësve në zyrat e shtetit.
“Sot administrata është një depozitë e madhe njerëzish, që jo rrallë nuk e meritojnë dhe prandaj ndodh që shërbimi është i ngadaltë, është me korrupsion. Por kush është jurist këtu e kupton që kjo ndodh jo vetëm pse njeriu është gabim aty, por se ndoshta ka nevojë që të shikohet edhe ligji, deri në pikën ku të ndjekësh rrugën ligjore është më e kollajtë, më e lehtë, sesa të ndjekësh rrugën joligjore, pra të japësh ca lekë dhe ta marrësh shërbimin. Kur të vijë dita që rruga ligjore të jetë më e thjeshtë se rruga joligjore, ne kemi reformuar sistemin deri në pikën që praktikisht të ofrosh lekë apo të kesh punonjës që marrë lekë, është e panevojshme. Dhe ajo ditë, unë them vjen, duke reformuar gjithë sistemin”, u shpreh ai.
I pyetur nëse do të ishte përsëri ministër i Brendshëm në kabinetin e ardhshëm, Tahiri, që për herë të parë flet publikisht për këtë çështje, e ka mohuar. Por ai ka theksuar se standardet e vendosura tashmë në Policinë e Shtetit vetëm do të shtyhen para.
“Jo, unë nuk do jem ministër i Brendshëm dhe besoj që çdo punë e ka një fillim dhe një fund. Nuk ka rëndësi sa kohë je në një punë, ka rëndësi çfarë bën gjatë kohës që je. Unë them që u përpoqa të bëj më të mirën time. Besoj që cilido është pasardhësi, do e ketë të vështirë të zhbëjë gjithë atë që u rregullua”, tha ish-ministri.
Duke vlerësuar kontributin e të rinjve socialistë në garat elektorale, ai tha se në zgjedhjet e ardhshme anëtarë të kësaj organizate të jenë të zgjedhur në këshillat bashkiakë dhe në grupin e deputetëve.
a.ç