Eduard Selami deklaroi në Top Story se Lulzim Bashën protestën në çadër dhe bojkotin e Parlamentit e përdori për të bllokua reformën në drejtësi. Kjo, sipas Selamit vuri partnerët ndërkombëtarë kundër Partisë Demokratike.
“Basha na vendosi edhe kundër perëndimorëve. Ka thënë për marrëveshjen që më nxorrën në pritë amerikanët dhe gjermanët. Kjo nuk është kështu. Basha e përdori çadrën për të bllokuar reformën në drejtësi. Ajo kauza e çadrës nuk ishte e sinqertë. Hyri në çadër, kështu edhe ashtu dhe sesi doli nuk e morëm vesh. Madje nuk ka as një kontratë të firmosur me zotin Rama”, tha ai.
Selami tha gjithashtu se nëse nuk do të ishte për Sali Berishën, Lulzim Basha do të ishte dorëhequr.
“Personi që e mbajti zotin Basha kryetar ishte Berisha, ndryshe Basha do të dorëhiqej si kryetar. Modeli i zotit Basha nuk është modeli i zotit Basha, është një hije e zotit Berisha, që nuk mund të përsëritet dhe fakti që në dy zgjedhjet e fundit, Basha ka bërë humbjet më të mëdha të PD mjafton që ai nuk duhet të jetë më në PD”, tha Selami.
Kandidati për kryetar të partisë më të madhe të opozitës tha se PD ndodhet në një krizë dhe pjesë e krizës është edhe mungesa e barazisë në garë.
Selami tha se ai garanton bashkimin e Partisë Demokratike dhe tha se modeli që ai ka parashtuar në fushatën para anëtarësisë është mbështetur gjerësisht, madje edhe nga grupi që është shfaqur kundër garës.
“Edhe Patozi dhe këta të tjerët që janë kundër garës nuk kanë asgjë me mua. Nuk kanë asgjë me modelin tim, madje e mbështesin dhe vetëm më thonë se nuk fiton dot garën”, tha ai.
Selami tha se Basha nuk mbajti premtimin për të zhvilluar debate në garën për kryetar.
“E lamë që do të bënim debate dhe menduam edhe për moderatorin madje. Këtë premtim nuk e mbajti, madje nuk la as mediat të hynin. Zoti Basha e refuzoi debatin, por ne edhe me dyer të mbylluara kemi bërë debate dhe kanë qenë goxha të ashpra si në Shkodër”, u shpreh Selami.