E ardhmja e Ledian Memushajt mbetet mister. Ai ka kontratë me Pescaran edhe për tri vite, ndërsa kërkohet nga klube të ndryshme. Presidenti i Pescarës, Daniele Sebastiani deklaroi se të gjitha vendimet do të merren në konsensus me mesfushorin kuqezi.
“Memushaj është një lojtar i cili pëlqehet nga shumë skuadra të Serisë A, por edhe nga jashtë Italisë. Është lojtar i Kombëtares shqiptare, ka luajtur në Kampionatin Europian dhe është mëse normale që të ketë oferta. Ne do ti vlerësojmë me lojtarin.”, ka deklaruar ai.
Njëra nga skuadrat që po insiston ta transferoj Memushajn gjatë kësaj vere është edhe ekipi zviceran, Sion, i cili drejtohet nga ndihmës i Gianni De Biasit, Paolo Tramezzani.
“Ka dhe do të ketë kërkesa. Lediani ka kontratë edhe për tre vjet me Pescarën, praktikisht deri sa të dalë në pension. Tramezzani e kërkon me ngulm te Sioni, por ne nuk e shesim askënd nën kosto”, deklaroi ai.
“Megjithatë, nuk është e përcaktuar që kapiteni të largohet nga Pescara. Ne nuk nxitohemi dhe do ti shqyrtojmë me kujdes ofertat, si në aspektin ekonomik për klubin, ashtu edhe për karrierën e lojtarëve”, përfundoi Sebastiani. /a.m.