Nga Ben Andoni
Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga zgjedhja e kryetarit të ri të PD-së, zërat dhe parashikimi pro Basha është rritur, në vend të kandidaturës tjetër, që sikur të mos i mjaftojë kundërshtari direkt po dëmtohet edhe nga paragjykimi. Eduart Selami ka marrë shumë goditje ditët e fundit, duke ia paragjykuar platformën, duke i përfolur apelet dhe ca më shumë akoma duke mos ia dëgjuar idetë e tij. Nga kjo e fundit, mund të gjykosh lehtë se Partia Demokratike është një parti që nuk mund të reformohet lehtë dhe se është drejt një trendi gjithnjë e më negativ. Po teksa shumë publicistë po i parashikojnë fundin, Partia Demokratike ka fatin e të qenit në opozitë në ditët tona, vend komod pasi Shqipëria përballet me realitete, që qeveria me gjithë propagandën e madhe nuk mund t’i mbulojë më dot. Nuk mund të fshehë dot luftën e pabarabartë me drogën, ashtu si dështimin e madh të administratës së saj arrogante, nuk mund të fshihet ulja e mirëqenies publike, fakte që vetë kryeministri i hasi përballë kritikave të pafundme nga njerëzit e thjeshtë në të ashtuquajturat “dëgjesa publike”. Në të gjithë këtë hulli, por jo në atë të vdekjes klinike të standardit të zgjedhjeve, siç po mundohet të mbrohet Basha, kryetari aktual i PD-së, partia opozitare ka realisht një hapësirë të tërë ku mund të notojë e qetë në parashtrimin e ideve të saj. Por, vrundujt e të shkuarës, mos shikimi i rezultatit zgjedhor dhe shkaqeve të humbjeve, e ka bërë këtë parti që të prishë sensin e rrjedhës normale dhe të kalojë në informalitet shprehje. I tillë ngjan ligjërimi me nota të larta por aspak bindës i Lulzim Bashës dhe i mungesës së transparencës prej vetë strukturave të hallakatura të PD-së. Megjithatë, edhe në këtë situatë aspak normale, PD-ja ka bërë një garë simpatike disi në formë, ku kandidatët e vendosur përballë nuk kanë ofenduar, përveç militantëve që e kanë kërcënuar apo ofenduar që në momentet e para Selamin. Ish-kryetari i PD-së po përpiqet sërish të kthejë partinë në atë rrjedhë që meriton. Dhe, këtë nuk po e bën me frymën e dikurshme të viteve ‘90, kur PD-ja ishte një front që mblidhte këdo që si pëlqente më koha e shkuar, por atë frymë te re, që kërkon zhvillimi i ri i Shqipërisë. Selami do mbahet mënd për kulturën e paraqitjes, forcimin e bindjes nga dita në ditë, përpjekjen për ta transmetuar këtë dhe vendosmërinë për të mos e lënë PD-në të rrëshqasë. Kjo mund të quhet vlerë në partinë, që tashti hallakatet për protagonizëm dhe po i bën kurthe vetes. Edhe me gjithë këtë përpjekje, PD-ja mbeti e ngërthyer në frymën shumë propagandistike të Bashës dhe aftësisë së tij për të fshehur humbjet. Kandidatura e Selamit bëri dhe një gjë të mirë të fundit, sepse të paktën, tashmë në PD dikush pati kurajën të përballej dhe të jepte edhe kurën për mjekim. Dhe, kjo do mbahet mënd më gjatë sesa vetë kandidimi i Eduart Selamit në Partinë Demokratike. (Javanews)