Ndërkohë që sipërfaqe të mëdha toke janë djegur dhe vatra të tjera zjarri vazhdojnë të jetë aktive, ku gjatë 24 orëve të fundit numërohen 11 vatra aktive, Shemsi Prençi, Kreu i Emergjencave Civile i bën thirrje njerëzve që të bëjnë kujdes dhe ti largojnë duart nga zjarret.
Në një intervistë për Report Tv, Prençit tha se rreth 90% e zjarreve janë të shkaktuara nga dora e njeriut dhe jo për shkaqe natyrore.
“Shkaqet e rënies së zjarreve nuk janë të rastësishme dhe as nga faktorë natyralë. Nga eksperienca ime ka dorë kriminale. Kur zjarri vihet në kurorën e gjelbër të Shëngjinit ka dorë kriminale për ta kthyer në zonë të djegur për ta shfrytëzuar më kollaj për turizëm.
Zjarri në pyjet e Lurës mund të jetë me qëllime kriminale, në kurorën e gjelbër të Beratit nuk mund ta quaj të rastësishme sepse ishin mbi 10 vatra zjarri. Nuk mund të ndodhi zjarr nga faktorë natyral në orën 22 :00 në Tepelenë.
Unë them nuk janë nga pakujdesia por dorë kriminale dhe duhet kushtuar më shumë kujdes. Ka pasur raste arrestimesh por kërkohet një vëmendje më e madhe e qeverisë”, tha Prençi.
Ndër të tjera ai tha se janë edhe bashkitë që duhet të marrin masa duke nxjerrë një fond të veçantë për situatën e zjarreve, si dhe duhen punësuar edhe vëzhgues.
“I duhet bërë apel të gjithë drejtuesve të bashkive, pavarësisht se trashëguan një shërbim zjarrfikës pa kapacitet teknike, ata duhet të planifikojnë fonde për ngritjen e kapaciteteve teknike të shërbimit zjarrfikës.
Një pjesë e mirë e bashkive ka një angazhim për tu vlerësuar. Por sa pjesë e buxhetit të tyre ka zënë mbrojtja nga zjarret. Nëse kujtohemi vetëm kur vjen zjarri apo uji, aty nuk kemi së çfarë të bëjmë më”, shprehet Prençi.
Ai bëri thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes me zjarret në këtë periudhë pasi vera e nxehtë do të vazhdojë./a.m.