Policia Kufitare u vjen në ndihmë 6 personave të cilët rrezikuan të mbyteshin mbi një mjet lundrues!
Më datë 19.07.2017, rreth orës 19:00, është marrë informacioni se një mjet lundrues tip motoskaf, po rrezikohej të mbytej në vëndin e quajtur “Kepi i Mërtesës” Ksamil.
Menjëherë me marrjen e këtij njoftimi, shërbimet e policisë kufitare Sarandë (2 patrulla) janë nisur në drejtim të adresës së këtij informacioni në Ksamil, ku është konstatuar motoskafi me emrin “Bayener Boa”, me flamur Anglez, në pronësi të shtetasit B.S., i cili kishte pësuar defekt në motorra.
Në bordin e motoskafit ndodheshin 6 shtetas, pushues nga mosha 26 deri në 32 vjeç, të cilët u shpëtuan dhe u nxorën në breg të Ksamilit.
Të gjithë personat ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, pa probleme për shëndetin e tyre.
Nga hetimet proceduriale të policisë, ka rezultuar se mjeti lundrues kishte dalë në det konform rregullave ligjore.
Policia Kufitare është në dispozicion të qytetarëve, pushuesve dhe të çdo problematike tjetër në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Vendore.