Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëherësh edhe zëvedësministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Ylli Manjani, ka bërë apel për moslejimin e ndryshimit të hyrjes së parkut të Liqenit Artificial në Tiranë.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai është shprehur kritik edhe ndaj ndërhyrjes në fasadën e kryeministrisë që sipas tij, nuk është as ligjore dhe as estetike. Madje, zv/ministri nuk kursen as ironinë kur shprehet se “ajo strehë sikur u bë për të pritur Lady Gagan dhe jo Angela Merkelin!”.
A duhet lejuar ndryshimi i së ashtuquajturës “hyrje e parkut të Liqenit”?
Për mua, absolutisht jo! Nuk duhet lejuar prekja e asnjë fijeje bari në parkun e Liqenit Artificial. Është i vetmi që ka sot Tirana dhe duhet ruajtur me shumë kujdes dhe jo të lejohet ndërtimi aty. U bë shumë mirë që u shty ai konkurs krejt i beftë dhe pa asnjë informacion paraprak për qytetarët! Tani duhet të bëjmë edhe hapin tjetër të dytë dhe më të rëndësishmin: të anulojmë tërësisht idenë e ndërtimit aty në atë zonë. Qeveria mori një vendim kurajoz e qytetar për pastrimin e asaj zone, me rastin e ardhjes së Papës në Tiranë. Tani s’ka asnjë kuptim që të bëjmë ndërtime të reja me pronarë të rinj. Nuk mund të presim të vijë Papa prapë që të vendosim ta pastrojmë përsëri të njëjtën zonë. Prandaj mendoj që, mirë bëri qeveria që dëgjoi sensibilitetet e njerëzve. Tani duhet ribërë plani rregullues i Tiranës, si fillim, me synim heqjen e këtyre njollave antiqytet e antimjedis. Në vijim duhet lejuar Kryetari i ri i bashkisë të fillojë zgjerimin e qendrës së Tiranës drejt Paskuqanit. Nuk ka kuptim të ndërtojmë gjithçka te, apo afër Liqenit ose në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Bulevardit të ri i duhet edhe prania e institucioneve publike, që të krijohet një realitet i besueshëm dhe serioz, se Tirana nuk është vetëm bulevardi i sotëm. Edhe Gjykata e Lartë nuk mund të vendoset në park (te godina e Fakultetit të Gjeologjisë). Nuk kam parë Gjykatë supreme në asnjë kryeqytet serioz që të vendoset në park, ku njerëzit dalin me ose pa brekë, sipas dëshirës. Gjykata supreme është njëra prej tri pushteteve dhe duhet të jetë në qendër të qytetit, aty ku janë Kuvendi dhe Qeveria. Jo Kuvendi e Qeveria në bulevard dhe Gjykata në park! Domethënia është që, pushteti politik në punë dhe shteti del për shëtitje! Ky është mesazhi që duam të japim!
Jeni shprehur kritik edhe për ndërhyrjen në fasadën e Kryeministrisë. Jeni akoma kritik?
Po, shumë! Po më parë më lejoni të jem dakord me idenë e hapjes për publikun të katit të parë. Pavarësisht ekzagjerimeve në realizim, ideja mbetet e mirë. Publiku s’ka pse të mos hyjë në institucionet ku merren vendime në emër të tij. Por ajo streha e kauçukut që është ndërtuar në fasadë është e tmerrshme! Nuk është as estetike e as ligjore. Baza e sotme ligjore ndalon ndërhyrjen në objektet e mbrojtura (ndërtesat e bulevardit janë të mbrojtura tashmë). Kështu që, kushdo që mund të ketë dhënë leje, ka gabuar rëndë! Estetikisht, vendosja e kauçukut si strehë e ka prishur fasadën origjinale. Ato mbajtëset që kalojnë përmbi ballkon, që ngjajnë si mbajtëse mbikalimi, plus plastika, e bëjnë atë hyrje të shëmtuar. Ajo strehë sikur u bë për të pritur Lady Gagan dhe jo Angela Merkelin!