Gati verifikimi i pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sot zgjidhet kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Vetting-ut. Në garë janë katër kandidatë, si Genta Bungo, Alma Vokopola, Etleda Ciftja dhe Lulzim Hamitaj. Kryetari do të zgjidhet në Pallatin e Kongreseve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (vetting-ut). Mandati i kryetarit do të jetë 3-vjeçar. Aktualisht, ILDKP kërkon nga Hipoteka listën e pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. I ka dërguar shkresë në fillim të qershorit, por ende nuk ka asnjë përgjigje.
Hipoteka në Tiranë u ka dhënë urdhër të gjithë zyrave të hipotekave në vend që të sjellin listat e pasurisë, por ndoshta ngërçi qëndron drejtpërdrejt te hipotekat në rrethe që po vonojnë procesin. Gjithsesi, procesi i kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve do të nisë me 50 të parët. Këtë e paralajmëroi pak ditë më parë, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Tetori do të jetë muaji kur do të nisë vrullshëm procesi i vetingut. “Bashkëpunimi i policisë me prokurorinë lë për të dëshiruar. Tetori, besoj se do të jetë muaji, i cili do të japë rezultatet e para të zbatimit të vetingut për 50 prokurorë e gjyqtarë”, deklaroi ish-ministri i Brendshëm.
Nga ana tjetër, gjyqtarët po përpiqen ta bllokojnë me çdo kusht vetingut.Pasi listat të dorëzohen pranë ILDKP, ky institucion do të hartojë një raport për secilin gjyqtar dhe prokuror, që do të vihet në dispozicion të organeve të vetingut, por edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë. Procesi i vetingut sigurisht do të monitorohet edhe nga ndërkombëtarët, të cilët nga ana e tyre janë të interesuar të njohin lidhjet e krimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me krimin dhe korrupsionin. Ndërkombëtarët do të hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Vëzhguesi ndërkombëtar mund të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike. Ata kanë të drejtë të administrojnë dokumentet që vërtetojnë veprime, fakte, cilësi ose një situatë subjektive të nevojshme për realizimin e hetimit. Reforma në drejtësi duhet të kishte filluar që një vit më parë, dhe gjatë kësaj periudhe kohore, sipas burimeve, ka gjyqtarë dhe prokurorë që janë kujdesur të fshehin pasuritë e tyre të paligjshme, duke i shitur pronat ose duke i hedhur në emra të tjerë.
a.ç