Një nga eksponentët kryesorë të Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe, Lordi Sewel është detyruar të japë dorëheqjen nga posti i tij pas filmimeve ku shfaqej duke konsumuar drogë në shoqërinë e dy prostitutave.
“Sot kam njoftuar drejtuesit e Parlamentit për tërheqjen e anëtarësisë time në Dhomën e Lordëve. Çështja nëse me veprimet e mia kam shkelur Kodin e Sjelljes është e rëndësishme, por sidomos teknike”, ka dekalruar Sewel.
Por, ka vijuar ai, çështja më e madhe është nëse sjellja e tij është në përputhje me anëtarësinë në Dhomën e Lordëve dhe nëse vazhdimi i saj do të dëmtonte besimin e publikut tek kjo strukturë.
“Besoj se përgjigjia më e mirë ndaj këtyre dy pyetjeve është se, unë mund t’i shërbej më mirë Dhomës duke e braktisur atë”, ka thënë Sewel.
Ai është shprehur se, Dhoma e Lordëve është një pjesë e rëndësishme dhe efikase e sistemit politik të Mbretërisë së Bashkuar, por e nënvlerësuar.
“Shpresoj se me vendimin tim do të kufizoj dhe do të mund të ndreq sado pak dëmet që i kam shkaktuar këtij institucioni kaq shumë të rëndësishëm për mua. Gjithashtu kërkoj falje për dhimbjen dhe turpin e shkaktuar”, thotë më tej Sewel.