Zyrtari i lartë amerikan, Hoyt Brian Yee, ka komentuar marrëdhëniet e tensionuara mes Kryeminstrit dhe Presidentit të zgjedhur Ilir Meta.
I pyetur nga VOA nëse ka arsye për t’u shqetësuar që kjo dinamikë mund të ndikojë dhe në marrëdhënien e ardhshme institucionale, ai thotë se udhëheqësit duhet të bëjnë përpjekjet maksimale që të gjejnë zgjidhje, edhe nëse nisen nga pikëpamje të ndryshme.
Zyrtari amerikan thotë se emëruesi i përbashkët që duhet të bëjë bashkë palët është e mira e Shqipërisë dhe interesat e popullit.
Hoyt Yee: Në shumë demokraci është normale të ketë pikëpamje të ndryshme, edhe acarime dhe mosmarrëveshje mes udhëheqësve të partive të ndryshme, edhe nëse janë në të njëjtën qeveri, apo nëse po punojnë së bashku në struktura shtetërore, që u duhet të bashkëpunojnë në nivel institucional. Kjo është natyra e politikës. Ajo që presim ne është që udhëheqësit të bëjnë përpjekjet maksimale që të gjejnë zgjidhje, edhe nëse nisen nga pikëpamje të ndryshme. Mund të kenë qëndrime apo interesa të ndryshme politike, por e mira e Shqipërisë, interesat e popullit nuk duhet të jenë subjekt i debatit politik, apo grindjeve politike mes udhëheqësve apo partive. Ne presim që të ketë diskutime dhe debate të forta mes udhëheqësve të Shqipërisë, por në fund të fundit ajo që inkurajojmë ne, ajo që ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë të bëjnë, është gjetja e zgjidhjeve, përgjigjeve, gjetja e kompromiseve që të ulin korrupsionin dhe të rrisin interesin për Shqipërinë si destinacion për investime, që do të ulnin rrezikun e ekstremizmit dhe të godasin trafikimin e paligjshëm të narkotikëve dhe krimin e organizuar.
a.ç