Eduard Selami ka vijuar turin e tij të takimeve me demokratët e Pukës, Vaut të Dejës dhe Koplikut, ndërsa ka theksuar se gara për kreun e PD-së nuk është falso por përcaktohet nga vota e çdo anëtari.
Ai ka ftuar dhe rivalin Lulzim Basha që të votojë për platformën e tij, e cila sipas Selamit bashkon të djathtën dhe e kthen në rrugën e fitores.
“Jam i bindur se do të votojmë së bashku, bile dhe Bashës i them: Voto për mua se do të jetë më mirë dhe për ty.
Kaq e thjeshtë kjo punë. Edhe mund ta bëjë, është për të mirën e tij, për të ardhmen e përbashkët. Jemi të bashkuar, kemi një partneritet ndërkombëtar, kemi njeri me eksperiencë,” tha Selami.
Selami është i zhgënjyer nga Basha, pasi siç thotë ai, ka një mospërputhje të madhe mes asaj që premton dhe asaj që realizon.
“Ky është zhgënjimi im, i mospërputhjes maksimale dhe ekstreme që kam vënë re tek lidershipi i zotit Basha mes asaj që premton dhe dëgjon me atë çka bën. Është kaq e thjeshtë. Ka prekur një nga pikat më të rëndësishme të asaj çka quhet lidership, besimin, mbajtjen e fjalës,” nënvizoi Selami.
Takimi gjatë këtyre ditëve të fushatës me demokratët e bëjnë Selamin optimist se PD mund të ringrihet.
Ajo që sipas tij duhet, është vetëm një platformë bashkëkohore të cilën thotë se ai e përfaqëson.
“Do ta rikthejmë dhe një herë PD si një forcë demokratike, do ti rikthejmë dhe njëherë shpresën, do të guxojmë edhe njëherë të ëndërrojmë, do të guxojmë edhe njëherë të besojmë, që PD do të rikthehet në pushtet së bashku, shumë më lart dhe se në vitet tona më të mira.
Dhe kjo do të bëhet sepse ne së bashku po, mundemi ta bëjmë Shqipërinë historinë më të sukseshme të shekulli XXI. Kjo garë nuk është falso, varet vetëm nga vota juaj dhe nuk është kundër askujt, është pro këtij modeli bashkëkohor që i ka kaluar koha. Veprimi i parë i imi do të jetë një analizë nga seksioni e lart, vetëm këtu do të fillojë. Analizë e humbjeve dhe e rrugëve duke i përfshirë që të gjithë,” përfundoi Eduard Selami.
a.ç