Një 35-vjecar shqiptar i cili është i burgosur për grabitje në Britani, po kërkon që të vuaj dënimin në burgjet shqiptare.
I riu i njohur si Jetmir Buçpapa, është i përfshirë në një grabitje të madhe, dhe për këtë arsye autoritetet britanike bëjnë të ditur se nuk do ta lejojnë lëvizjen e tij, pasi kanë frikë se i cilësuar si “koka”, e bandës së grabitësve, mund të fusë në dorë paratë që ende nuk janë gjetur pas grabitjes.
Mësohet se Jetmir Buçpapa, është një nga katër personat e arrestuar në vitin 2008 për grabitjen famëkeqe të 53 milionë £, në depot e “Securitas”, në Tonbridge, Kent.
Sipas mediave britanike, ky ambient shërbente si magazinë parash kesh për të furnizuar sportelet e bankave dhe automatet ATM të shpërndarjes së parave.
Ndërsa, nga të dhënat bëhet e ditur se pas grabitjes së bankës qendrore të Irakut gjatë bombardimeve në vitin 2003, kjo në Britani shënoi grabitjen më të madhe të parave (KESH) të ndodhur ndonjëherë në histori.
I riu shqiptar është dënuar me 30 vjet, por deri më tani 30 milionë paund, nga paratë e vjedhura, ende nuk janë gjetur.
Ai tashmë është duke negociuar me Gjykatën e Lartë për t’u transferuar në një burg shqiptar me argumentin, “për të qenë më pranë familjes së tij”.
Por lidhur me këtë situatë, Sekretarja britanike e Drejtësisë, Liz Truss, është shprehur se, nëse ai transferohet në Shqipëri, ka mundësi që të dalë nga burgu për një periudhë katër vjeçare. Sipas saj arsyeja tjetër se pse nuk lejohet që të transferohet drejt vendit të origjinës, është fakti se paratë që nuk janë gjetur ende, dhe kjo justifikon mbajtjen e tij në një burg britanik.
Por, Buçpapa ishte pjesë e një bande që kreu një grabitje të madhe dhe jo të gjithë u kapën, tha avokati i qeverisë britanike, Christopher Knight.
Shqiptari aplikoi të njëjtën lëvizje edhe vitin e shkuar, por vendimi u refuzua dhe tashmë ai po lufton në Gjykatën e Lartë shkruan Panorama.
Gjithashtu, nga ana e tyre, avokatet e shqiptarit jane shprehur se refuzimi nuk eshte i drejte, pasi nuk është në përputhje me çdo rast tjetër që përfshin një të burgosur shqiptar që dëshiron të shkojë në shtëpi.
Nderkohe, thuhet se nga 17 raste të mëparshme, disa prej tyre vrasës brutalë, asnjërit nuk i është refuzuar transferimi në një burg shqiptar, tha Philip Havers QC.
Vendimi për dërgimin e shqiptarit, për të vuajtur dënimit në Shqipëri, do të jepet në një moment të dytë.