Përse foshnja ime qan vazhdimisht? Kjo është pyetja të cilën nënat e parashtrojnë me qindra herë nga fillimi i amësisë. Përgjigja e kësaj pyetjeje asnjëherë nuk është e lehtë.
Foshnjat nuk dinë të flasin, prandaj qajnë. Megjithatë, mjekët sugjerojnë disa nga shkaqet më të shpeshta për qarjen e foshnjave dhe si të ballafaqoheni me të:
Rehatia: E rëndësishme është të jeni praktik në të menduarit. Nëse foshnja nuk është e uritur ose e etur atëherë kontrolloni nëse ndihet rehat në veshjen apo pozitën që ka.
Kjo nënkupton: pelena të thata, veshje të lehtë, krevat komfor dhe temperaturë të përshtatshme në dhomë prej rreth 20 gradë celsius.
Lodhja: Foshnjat shpesh qajnë pasi kanë nevojë për gjumë. Mirëpo jo të gjitha foshnjat i zë gjumi lehtë dhe menjëherë pasi t’i vini në krevat. Përkundja dhe këngët mund të ndihmojë.
Ngërçi: Ngërçet tek foshnja zakonisht shfaqen në orët e pasdites ose të mbrëmjes. Foshnjat ndjejnë dhimbje të forta në stomak dhe qajnë pa ndërprerë, transmeton telegrafi. Akoma nuk është zbuluar ndonjë ilaç i cili do të parandalonte ose shëronte ngërçet, mirëpo, mund të përpiqeni të ndihmoni me çaj ose me masazh në stomak. Duhet të keni durim pasi ngërçet kalojnë vetvetiu pas muajit të tretë të lindjes.
Nëse konsideroni se asnjëra nga këto nuk është shkak për qarjen e fëmijës suaj, atëherë shihni nëse foshnja ka mundësi të mjaftueshme për argëtim.
Nxirreni foshnjën në shëtitje, kjo është një ndër variantet më të mira për qetësim.
Megjithatë qarja me zë të lartë, me nervozë dhe për një kohë më të gjatë mund të jetë shenjë se fëmija është i sëmurë.