Pas Lazaratit është padyshim sasia më e madhe e drogës e sekuestruar në një fshat të vetëm.
E megjithatë, dosja për 15 tonët e bllokuar në Drithas, Llakatund, do të shkojë në Gjykatën e Vlorës e ndarë në 4 dosje.Burime të Top Channel thanë se në dosjen e parë prokuroria do të kërkojë “arrest me burg” për Myzafer dhe Ervin Tushajn, atë e bir, për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”.
Të dy ata, banorë të këtij fshati, dyshohet të jenë pronarë të sasisë prej më shumë se 9 tonë drogë, të tharë dhe në formën e çokollatës.
Prokuroria thotë se 66-vjeçari me të birin e kishin fshehur hashashin në shtëpinë e pabanuar të shtetasit Zaho Aliraj, i cili jeton jashtë shtetit.
Por ndërkohë nuk është konfirmuar ende nëse sasia e drogës është magazinuar prej tyre në këtë objekt, duke u blerë në fshatrat përreth, apo ishte kultivuar prej kësaj familjeje dhe pritej të transportohej.
Ndërkohë i ka shpëtuar hetimit të Krimeve të Rënda edhe episodi i dytë me të arrestuar shtetasin Rakip Arpaj, 58 vjeç dhe banor i të njëjtit fshat.
Në oborrin e shtëpisë së tij u bllokuan më shumë se 5 tonë hashash, 2.5 litra lëng i dyshuar si vaj hashashi, si dhe armë e municione.
Dosja e tretë parashikon dërgimin për masë sigurie të Kudret dhe Elion Tushajt, po nga fshati Drithas, sepse në një ambjent afër shtëpive që përdorej si magazinë u sekuestruan 33 kg hashash.
Burime të policisë së Vlorës pohojnë se do të vijojnë ndërkohë hetimet për të gjetur poseduesit e 696 kilogramëve hashash të braktisura në përroin e fshatit, të cilit gjithashtu i ka përfunduar në pranga edhe kryeplaku, si edhe dy policët që duhet të raportonin për gjendjen.
Sepse në “Lazaratin e vogël” të Drithasit, edhe në oborrin e policit Lirim Lamaj kolegët e tij gjetën dhe asgjësuan 270 rrënjë kanabis sativa./a.m.