Në kuadër të fuqizimit dhe zgjerimit të lidershipit të grave, për herë të parë Shqipëria do të ketë një plan kombëtar veprimi për të zbatuar Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për gratë, paqen dhe sigurinë.
Për të mbështetur këto prioritete janë angazhuar një sërë institucionesh të nivelit të lartë ndër të cilat bëjnë pjesë: Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes, si dhe 20 organizata të të drejtave të grave dhe të njeriut.
Un Women në faqen e saj zyrtare shkruan se tanimë kjo fushë është bërë mjaft e njohur nga shoqëria civile dhe qeveria. Shoqata e Grave me Probleme Sociale në bashkëpunim me Operation 1325 dhe Rrjetin e fuqizimit të Grave, kanë punuar në këtë drejtim duke rritur ndërgjegjësimin dhe kapacitetet. Fondi për Barazi Gjinore, një mekanizëm kushtuar fuqizimit ekonomik dhe politik të grave në mbarë botën, ka qenë mbështetës i kësaj nisme në Shqipëri, duke mbështetur financiarisht dhe teknikisht OJQ-të./a.m.