Rritja e temperaturave gjatë stinës së verës i bën më të rrezikshme bombolat që përdorin familjarët dhe baret e restorantet. Inspektorati Shtetëror Teknik ka përqendruar aksionin në zonat turistike duke ngritur 4 grupe kontrolli dhe nuk mohon që në disa biznese ka gjetur shkelje, të cilat rrezikojnë jetën e pushuesve përreth.
“Janë ngritur 4 grupe kontrolli një grup kontrolli ka përfunduar inspektimet në zonën e Velipojës dhe Shëngjinit një grup vazhdon në zonën e plazhit në Durrës deri në Divjakë një grup nga Vlora deri në Sarandë ndërsa një grup tjetër ka filluar të ushtrojë kontrolle në zonën e Pogradecit. Aktualisht janë kryer 64 kontrolle. Ka dhe subjekte që nuk i respektojnë normat dhe kushtet teknike janë vendosur 7 penalitete në 64 subjekte”, tha Nako Petro, inspektore në Drejtorinë e Naftës dhe të Gazit.
Nako Petro këshillon qytetarët që të kenë kujdes në përdorimin e bombolave në këtë periudhë të nxehtë.
“Eksperienca tregon që gjatë stinës së verës 70 % e zjarreve që ndodhin 50 % e rasteve vijnë nga ambientet e gatimit ndaj njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm për përdorimin e tij në familje. ‘Barbeque’ duhet të përdoren në vende që janë të ajrosura mirë nuk lejohet që ato të përdoren kur shpejtësia e erës është më shumë se 10 kph”, u shpreh Petro.
Sipas të dhënave nga Inspektorati Teknik Qendror Industrial, vetëm në vitin 2016 janë importuar nga vendet e Bashkimit Europian rreth 125 mijë tonë gaz
a.ç