Në ministrinë e Arsimit dhe Sportit zbarkoi një grup i njësisë anti-korrupsion nga Kryeminsitria për kryerjen e disa verifikimeve, pas dyshimeve për abuzim me ligjin rreth disa emërimeve të kryera nga ministrja teknike e emëruar nga PD Mirela Karabina. Pas përhapjes së lajmit, kjo ministri nuk pranoi se po ushtrohej kontroll dhe përmes një reagimi ka përgënjeshtruar lajmin.
Por një hetim i tillë konfirmohet nga urdhri i firmosur nga kryeminsitri që shfaqet më poshtë në dokumentin e publikuar nga balkanweb.
Në dokumentin ne firmosur nga shefi i qeverisë, urdhërohet të ushtrohet kontroll administrativ në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Sipas tij, kontrolli ka nisur pas dy shkresave të ish-sekretarit të Përgjithshëm në këtë institucion, Plarent Ndrecës për 35 shkelje ligjore që ai pretendon se i ka kryer ministrja.
Sipas të njejtave burime, ministrja dyshohet për mbi 30 shkelje ligjore, të cilat i janë përcjellë Ramës gjatë fushatës, pas fushatës dhe në kohën e shkarkimeve që ka bërë ministrja.
Reagon MAS: Objekt i urdhrit nuk është Ministri i Arsimit, mirëpresim kontrollin
Në lidhje me hetimin ka reaguar edhe minsitrja e Arsimit. Përmes një deklarate për mediat, MAS sqaron se urdhri nuk ka objekt ministren.
Deklarata:
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Mirela Karabina, është njohur sot më datë 14.07.2017, në orën 14.10, me urdhrin nr. 3933 Prot., datë 14.07.2017 “Ushtrim kontrolli” të Kryeministrit, ku thuhet se: “Të ushtrohet kontroll administrativ dhe ligjor në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, lidhur me zbatimin e procedurave të ndjekura për menaxhimin e burimeve njerëzore, gjatë vitit 2017”.
Qartësisht objekt i këtij urdhri, nuk është dhe nuk mund të jetë veprimtaria e Ministrit të Arsimit dhe Sportit, që sipas ligjit drejton politikën shtetërore për fushën që mbulon punën administrative dhe kontrolluese në institucion. Ndërkohë, që sipas legjislacionit në fuqi, detyrimin për të menaxhuar burimet njerëzore dhe për të ndjekur procedurat ligjore përkatëse mbi to, është përgjegjësi e strukturave administrative të Ministrisë së Arsimit. Për vitin 2017, deri në momentin e pezullimit nga detyra, kjo ka qenë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Plarent Ndreca, Sekretar i Përgjithshëm i MAS, i pezulluar nga detyra për shkak se është nën hetim penal për shpërdorim detyre.
Sic edhe është bërë me dije në vijimësi, për veprimtarinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, janë konstatuar shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës, deri në shpërdorim të detyrës, për të cilat Ministrja ka paraqitur kallëzim penal në prokurori dhe ka informuar mbi 5 herë Kryeministrin Edi Rama mbi shkeljet e kryera prej tij, në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe drejtimin administrative të MAS.
Në këtë kontekst, Ministrja Karabina mirëpret grupin e kontrollit të Kryeministrisë, për të verifikuar strukturat përgjegjëse që janë të ngarkuara
me menaxhimin e burimeve njerezore, gjatë vitit 2017, si dhe siguron opinionin publik se do të vendosë në dispozicion të këtij grupi kontrolli dhe më pas edhe të publikut, të gjitha faktet dhe rrethanat që provojnë veprimet e paligjshme dhe korruptive të Sekretarit të Përgjithshëm, dhe funksionarëve apo ish funksionarëve të tjerë të MAS të kryer gjatë vitit 2017 dhe më parë.
Të shqetësuar nga dokumentimi i shkeljeve të kryera prej këtyre funksionarëve gjatë vitit 2017 dhe më parë, gjatë kohës ku pranë institucionit janë prezent edhe audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët janë mirëpritur dhe po bashkëpunojnë në kryerjen e detyrës së tyre, të ashtuqujturat “burime nga MAS”, kanë keqinformuar mediat se pranë Ministrisë së Arsimit ka mbërritur struktura antikorrupsion e Kryeministrisë, për gjoja verifikimit të veprimtarisë së Ministres. Gjatë kësaj periudhe Ministrja e Arsimit nuk ka kryer asnjë emërim, apo nuk ka zhvilluar asnjë procedurë prokurimi, sic raportojnë “burimet” që shpërndajnë lajme të pavërteta.
Ministrja e Arsimit znj. Karabina hedh poshtë cdo pretendim apo lajm të shpërndarë në media se objekti i kontrollit është veprimtaria e saj. Ajo shpreh të gjithë gadishmërinë për të qenë subjekt kontrolli mbi veprimet e saj gjatë gjithë ushtrimit të detyrës gjatë kësaj periudhe, qoftë nga struktura administrative, ashtu edhe nga organet e specializuara të zbatimit të ligjit. Të njëjtën qasje dhe qetësi duhet të tregojnë edhe funksionarët apo ish funksionarët e tjerë të MAS, apo drejtues të institucioneve shtetërore.
Për trasparencë, dhe për të shmangur cdo keqkuptim apo keqinformim me dashje të opinionit publik, MAS bashkëlidhur ju dërgon për njohje urdhrin e kontrollit dhe programin e kontrollit, të depozituar sot pranë institucionit tonë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Mirela Karabina, siguron opinionin publik se gjatë ushtrimit të detyrës, ka qenë dhe do të jetë deri në ditën e fundit të detyrës, garante e zbatimit korrekt të ligjit. Në këtë drejtim, znj. Karabina nuk do t’i nënshtrohet asnjë forme presioni të paligjshëm, që synon të shfokusojë Ministren në dokumentimin e shkeljeve të konstatura, apo përfundimin e misionit të saj për të dokumentuar përdorimin politik të strukturave arsimore gjatë fushatës zgjedhore.
Në përfundim, Ministria e Arsimit dhe Sportit, është e hapur për të bashkëpunuar, jo vetëm me grupin e kontrollit që do të nisë punë të hënën, por edhe me cdo strukturë tjetër të ngarkuar nga ligji për të kontrolluar veprimtarinë e institucioneve shtetërore.
/a.m.