Nga Ilva Tare
Pas miratimit në letër dhe pritshmërisë për të nisur nga zbatimi i reformës në drejtësi, zyrtarët e Brukselit pritet të fillojnë një tjetër “mësymje” politike dhe teknike për të vënë rregull në një sektor kaotik. Bëhet fjalë për “Sigurinë Ushqimore” një nga elementët kryesor të tregut që funksionon në mënyrë informale, të rrezikshme, të pakontrolluar, të lënë në mëshirë të inspektorëve lokalë që lëshojnë certifikata si të ishin letra për përdorim higjenik.
Nga 35 kapitujt e negociatave që shpreson të hapë Shqipëria me Bashkimin Europian, një ndër kapitujt më të rëndësishëm dhe të vështirë për t’u zbatuar nga vendi yne do të jetë edhe “Siguria Ushqimore, politikat veterinare dhe fito-sanitare” që është i renditur i 12-ti pas bujqësisë dhe përpara peshkimit. Një manual i mirëfilltë i rregullave të detajuara dhe të detyrueshme për t’u zbatuar.
Meqenëse fjala reformë mund të duket démodé dhe e bezdisshme për shumë puritan që mendojnë se Shqipëria ka bërë aq shumë reforma sa nuk ka nevojë të udhëhiqet nga Brukseli për detyrime të reja, cështja e sigurisë ushqimore meriton të shpjegohet më thjeshtë, sidomos për ata prodhues të vegjël që deri më sot me integrim kanë kuptuar lëvizjen e lirë për të takuar djalin, a vajzën në një nga vendet e BE-së.
Kur ne të bëhemi vend serioz që e vlerësojmë jetën e cdo qytetari dhe kur vetë konsumatorët të jenë të shqetësuar për atë cfarë e ushqejnë stomakun, nuk do të blejnë më qumësht në bidonat plastikë disapërdorimësh të fshatarëve që vijnë cdo mëngjes poshtë pallatit. Kur të fillojë ngritja e sistemit që do të ketë gjurmueshmëri nga fillimi I procesit e deri në përfundim të prodhimit të djathit, pronari I baxhos artizanale ose fabrikës duhet të jetë në gjendje të tregojë të gjitha certifikatat e sigurisë dhe higjenës të secilës hallkë të procesit. Në të kundërt, prodhimet e pacertifikuara nuk do të mund ta shohin dritën e diellit në treg.
Shqipëria është aktualisht një ndër pak vende të rajonit që nuk është në gjendje të eksportojë mish, ndryshe nga Maqedonia dhe Serbia dhe pavarësisht kapaciteteve të shumta që ka, për faktin se në këto 27 vite ka dështuar të ndërtojë një sistem kontrolli dhe matrikulimi të kafshëve dhe gjedhëve, pa të cilin vetëm shqiptarët që nuk pyesin cfarë hanë mund ta blejnë dhe konsumojnë.
Arsyet pse qeveritë dhe funksionarët përgjegjës e kanë lënë një nga sektorët më jetikë me pasoja kritike për shëndetin e shqiptarëve janë po ato që e kanë lënë këtë shoqëri në mëshirë të një sistemi të korruptuar drejtësie. Më shumë mundësi për t’u pasuruar në një kohë të shpejtë me vërtetime e licensa abuzive, më shumë shanse për përfitime në kurriz të fermerëve dhe veterinerëve që kanë menduar më shumë për bukën e gojës se sa për ngritjen e disa standardeve minimale, që duhet të kishte qoftë edhe një shtet si ky yni.