Kryeministri Edi Rama ka dalë sot para mediave për të informuar për Samitin e Triestes, ku mori pjesë dy ditë më parë. Duke iu referuar shkrimeve në media për krijimin e tregut të përbashkët, Rama tha se nuk ka broçkull më të madhe se krijimi i Jugosllavisë, shkruan Balkanweb.
“Dua të nënvizoj rëndësinë e një hapi të hedhur në këtë samit, organizimin e një tregu të përbashkët rajonal, duke hedhur poshtë kundërshtitë qesharake ndaj këtij projekti për të nënvizuar atë që është thelbësisht e vërteta e këtij projekti. Rritje e kapaciteteve të rajonit për të pasur treg më të madh të vendve tona. Hiqen barrierat penguese jo tarifore dhe një rritje edhe në aspektin e rritjes së rajonit për t’iu bashkëngjitur tregut të përbashkët evropian. E kotë të humbasim kohë dhe energji për gjithfarë broçkullash që lidhen me këtë projekt. Është tërësisht evropian dhe mbështet në frymën evropiane të bashkëveprimit. Nuk përbën zgjidhje alternative por një përpjekje komplementare me atë të integrimit të vendeve tona dhe të rajonit në BE dhe nuk ka broçkull më të madhe për t’u evidentuar si kulmi i marrëzisë se sa broçkulla e krijimit e rikrijimit të Jugosllavisë. Jemi duke hedhur hapa përpara në një proces tërësor”. /b.d