Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se më shumë se shtatë milionë njerëz në gjithë botën, vdesin çdo vit nga sëmundjet që shkaktohen nga pirja e duhanit. Një pasojë e tillë, përveç dëmeve shëndetësore dhe rrezikimit të jetëve të njerëzve, vlerësohet se shkakton dëme të mëdha edhe për ekonomitë e vendeve të ndryshme.
Vetëm në Kosovë, për një vit hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan. Në bazë të këtyre statistikave të Doganave të Kosovës, del se qytetarët harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit për konsum të duhanit.
Kurse për një person, mbi bazën e llogaritjeve nëse ai shpenzon një pako cigare në ditë, del se shpenzimet e tij vjetore arrijnë shumën minimale prej 600 euro.
Sami Uka, zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë i tha Radios Evropa e Lirë se dëmtimi i ekonomisë vendore nga duhanpirja është i vazhdueshëm dhe në rritje e sipër. (b.an)