Nga Armando Meta/
Zgjedhjet e 25 qershorit, përveç uljen së tensioneve politike në vend, duket se kanë ulur edhe tensionet edhe brenda KQZ-së. Dhe për më tepër e kanë futur këtë institucion në hullit e ligjit. Ky ndryshim është mjaft i dukshëm dhe shumë domethënës, po të kemi parasysh drejtimin e KQZ-së nga ish- kryetari, Arben Ristani, përfaqësues i PD-së. Si në 2011 kur diskutohej mandati i liderit të PS-së për kryetar Bashkie të Tiranës, Edi Rama, ku Ristani u bë protagonist i shkeljeve flagrante të ligjit, duke i dhënë mandatin e kryetarit të Bashkisë kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, edhe sot në KQZ është pothuajse e njëjta situatë. Aty po diskutohet me foto-finish mandati i kryetrarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, nëse do të jetë apo jo deputet në legjislaturën e ardhëshme të Kuvendit. Mënyra se si po procedohet sot është si nata me ditën krahasuar me mënyrën se si Ristani administroi procesin e rinumërimit të votave për Bashkinë e Tiranës. Situata është mjaft e qetë, pa policë që mbajnë rrethuar KQZ-në, pa një kryetar KQZ-je që ruhet me truproje, pa kërcënime mes palëve që kanë kontestime etj. Pra një situatë tejet normale, siç ndodh në të gjitha vendet e qytetëruara kur ka kontestim për rezultatin e një apo të disa qendrave të votimit.
Përveç palëve të interesuara shumë pak qytetarë mund të jenë në dijeni se në KQZ po rinumërohen disa kuti votimi. Ky moment reflekton nga ana tjetër edhe klimën paqtuese në të cilat u zhvilluan zgjedhjet e 25 qershorit, duke përjashtuar LSI-në, roli së cilës ishte shumë kërcënues dhe la një shije jo të mirë tek zgjedhësit. Ky zhvillim pozitiv shënon edhe një moment kthese sa i përket mënyrës se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri, ku më së shumti aktorët politikë të përfshirë në zgjedhje krijonin një klimë lufte para dhe pas zgjedhjeve. Tashmë kemi të bëjmë me vendosjen e një standardi të ri, i cili do të mundësojë në të ardhmen rritjen e klimës së besimit ndaj procesit zgjedhor, ku zgjedhësit të mos ndihen të kërcënuar nga ata që zgjedhin.