Shfuqizimi nga Gjykata Kushtetuese i vendimit për pagat referencë të profesioneve të lira në shtator të vitit të kaluar ka sjellë një pasojë të pakëndshme për disa prej personave që ushtrojnë këto profesione.
Sipas specialistëve të Tatimeve, ata tashmë nuk janë më të përjashtuar nga pagimi i kontributeve për sigurimet, duke qenë se vendimi, që ua njihte këtë të drejtë është shfuqizuar bashkë me pikat e tjera të kontestuara.
Pra, në rast se një pensionist vijon të ushtrojë profesionin e avokatit, mjekut, farmacistit, etj, si i vetëpunësuar, rezulton debitor ndaj administratës tatimore, pasi ai duhet të kishte paguar kontribute që nga shtatori i vitit të kaluar.
Aktet
Në janar 2015, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, i cili rriste ndjeshëm pagat referencë për efekt të pagimit të sigurimeve për profesionistët e lirë.
Ministria e Financave vendosi intervalin e pagave referencë për llogari të pagimit të sigurimeve që shtrihet nga 41.250 lekë, deri 73.800 lekë në muaj, sipas kategorizimit të bashkive. Në bazë te këtyre shumave, profesionet e lira (si avokatë, përmbarues, inxhinierë, veterinerë, farmacistë, dentistë etj.) do të duhej të paguanin detyrimet mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Ky vendim u ankimua në Gjykatën Kushtetuese dhe në korrik të vitit 2016 u rrëzua nga Gjykata, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Por, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese u prit pozitivisht nga profesionistët e shumtë të lirë, të cilëve iu rrit së tepërmi barra e taksave, ai ka penalizuar pensionistët mes tyre. Pika 9 e VKM-së, tashmë të shfuqizuar sanksiononte se: “Mbështetur në pikën 3, të nenit 6, të ligjit nr. 9136, datë 1.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pensionistët e regjistruar si persona fizikë të vetëpunësuar të vetëm, që punojnë në profesionet e përcaktuara në aneksin nr. 1 të këtij vendimi, nuk kanë detyrim për të paguar kontribute për sigurime shoqërore dhe shëndetësore.
Në raste të tjera, paguajnë kontribut në nivelin minimal sipas përcaktimeve të vendimit nr. 77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”.
ma.me