Në këto ditë mjaft të nxehta vere kondicionerët janë shpesh i vetmi burim freskie, si në zyre edhe në shtëpi. Për të evituar faturat e kripura, sëmundjet e verës, apo edhe për t’i bërë mirë ambientit, është mirë të mësojmë të përdorim në mënyrën e duhur ajrin e kondicionuar.
Pesë këshilla të thjeshta për të “mposhtur” vapën:
Temperatura
Mos e çoni temperaturën e kondicionierit në maksimumin e tij. Ideale do të ishte të mbanit një diferencë prej 5 grade Celcius të ambientit të brendshëm me atë të jashtëm. Edhe një diferencë e vogël prej 2 gradë Celcius në fakt, mund t’ju japë shumë freski, pasi shoqërohet me reduktimin e lagështirës në ajër. Përveç kësaj, kurseni 20% të energjisë.
Dritaret dhe dyert të mbyllura
Sigurohuni që dyert dhe dritaret janë të mbyllura mirë gjatë ditës, në veçanti gjatë orëve të pikut, ndërkohë që kondicioneri është duke punuar. Nëse i mbani hapur, në shtëpinë tuaj do të hyjë ajër me një temperaturë 35- 40 gradë Celcius, dhe kondicioneri do të punojë në maksimumin e tij për të mbajtur nivelin e duhur. Në këtë mënyrë rrisni konsumin e energjisë me 35%.
Filtrat
Pastroni filtrat e kondicionerit në mënyrë periodike që të mos dëmtohen, dhe për të mbajtur një rendimet të lartë të aparatit, duke evituar dhe harxhimin e kotë të energjisë.
Fluksi i ajrit
Mos pengoni fluksin e ajrit që hyn apo që del nga aparati. Është e rëndësishme që zonën përballë kondicionerit ta keni të zbrazët në mënyrë që ajri të qarkullojë lirisht.
Ajri i kondicionuar dhe njeriu
Evitoni që ajri i freskët të bjerë direkt mbi personin. Kjo mund të bëhet shkak për sëmundje dhe ftohje. Është më mirë që ajri i freskët të jetë drejtuar për lart, pasi do të zbresë në mënyrë natyrale./ Top Channel