Këngëtari Gena është përballur mbrëmë më një situatë jo të këndshme teksa ishte duke performuar në një lokal në Dhërmi.
Gjatë kohës që ai po këndonte në një lokal nate janë shfaqur forcat e FNSH-së të armatosur të cilët janë ngjitur në skenë dhe kanë arrestuar kompozitorin dhe muzikantin e njohur Edlir Begolli. Arsyeja e arrestimit siç ka bërë të ditur vetë Begolli për Xing.al, ka qenë për shkak të volumit të muzikës.
“Ishim duke bërë muzikë si gjithmonë ndërkohë që policia kishte ardhur jashtë lokalit. Në atë moment Gena zbriti nga skena dhe unë isha ende lart për të mbyllur muzikën.”- rrëfen kompozitori dhe muzikanti i njohur.
Ai shpjegon se ndërkohë që ndodhej ende në skenë, thuajse ishte rrethuar nga uniformat blu të cilët qartazi ishin përgatitur ta arrestonin. “Nuk bëra rezistencë dhe më vunë prangat. Nga aty më çuan në komisariat ku më mbajtën 5-6 orë pa arsye, pasi këto gjëra normalisht zgjidhen me një urdhër ndalimi”- shpjegon Begolli.
“Kam mbetur i shokuar dhe s’do doja të përsëritej më një gjë e tillë pasi për një artist është tronditëse të trajtohet në një mënyrë të tillë si të ishte një kriminel.”- përfundoi ai.