Konsumi i alkoolit duket se ul ndjeshëm nivelin e antioksidantëve mbrojtës të lëkurës, duke favorizuar djegiet në rastin e ekspozimit ndaj diellit. Ndërkohë konsumi i ushqimeve të pasura me antioksidantë mund të ndihmojë që të ulet ky efekt negativ. Kjo sugjerohet nga një studim gjerman i botuar në revistën “Skin Pharmacology and Physiology”.
Studiuesit gjermanë kanë zhvilluar një eksperiment në tre faza me disa të rinj. Në një moment të parë, për çdo vullnetar është përllogaritur përqendrimi i karotenoideve dhe dozës minimale të radioaktivitetit ultravjollcë që çon në skuqjen e lëkurës.
Vlerësimet janë bërë para dhe pas konsumimit të pijeve alkoolike dhe para dhe pas konsumit të alkoolit dhe lëngut të portokallit. Të dhënat e mbledhura tregojnë se përqendrimi i karotenoideve ulet pas përdorimit të alkoolit, qoftë ky edhe i shoqëruar nga lëngu i portokallit. Gjithsesi, ulja e nivelit ishte shumë më i madh kur konsumohej vetëm alkool. Fenomeni në këtë rast është i dukshëm pas tetë minutash dhe zgjat rreth 70 minuta. Ndërsa nëse konsumohej lëng portokalli pas alkoolit ulja e niveleve ndodhte pas rreth 45 minutash dhe zgjaste rreth 90 minuta.
“Të dhënat e mbledhura treguan një ulje të përqendrimit të antioksidantëve në lëkurë si pasojë e konsumimit të alkoolit, çka do të thotë që ka pasojë në mekanizmat vetëmbrojtës të lëkurës”, shprehen autorët. Një motiv i mirë ky për të mos abuzuar me alkoolin, sepse siç duket nuk dëmtohet vetëm mëlçia, por i gjithë organizmi, përfshirë lëkura.