Ish-krerët e degëve të Partisë Demokratike kanë shpërthyer në drejtim të kryedemokratit Lulzim Basha.
Ata i bëjnë thirrje Lulzim Bashës të marrë përgjegjësitë e humbjes pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit dhe të japë dorëheqjen.
Ish-krerët e degëve të PD e akuzojnë Bashën se po bën një fushatë fiktive për kryetarin e partisë, pasi ai i ka larguar të gjithë kundërshtarët e tij; ndërsa kandidati përballë tij, Eduard Selami, ndonëse është një figurë e mirë për të ringritur PD, nuk ka mbështetje. Ish-kryedemokratët e degëve të PD e akuzojnë Bashën për një individ që nuk ka moral, pasi del në fushatë në një kohë kur në 25 qershor, qytetarët i dhanë një mësim të mirë.
Ata shprehen se, nëse Basha do të vijojë me këtë sjellje, atëherë nuk ka dyshime që ky është një skenar për shpërbërjen e PD.
Ish-kreu i degës së PD në Dibër, Rrahim Kaleci, në një prononcim për gazetën “Sot”, thotë se një njeri i pamoralshëm që nuk merr përgjegjësitë që i takojnë, nuk mund të bëjë fushatë për kreun e partisë, por rruga më e mirë është dorëheqja.
“Është e turpshme që Basha vazhdon akoma të bëjë fushatë, sepse ka vetëm pak kohë që e mori përgjigjen. Eduard Selami do ishte një zgjedhje e mirë, por nuk ka mbështetje. Sepse kështu e ka ndërtuar Basha PD, duke nxjerr nga radhët kundërshtarët e tij.
Nëse do të vijohet kështu, do të thotë që është një skenar i mirëfilltë për të shpërbërë përfundimisht PD.
Disfata që pësoi në 25 qershor ishte e paimagjinueshme, dhe tani del i njëjti person dhe bën moral se ka gabuar dhe do korrigjojë gabimet. Nuk janë gabime por përgjegjësi të mëdha.
Ky është personi më i pamoralshëm që duhet të bëjë moral”, tha Kaleci.
Ai gjithashtu tha se Selami është figurë e denjë për kreun e PD, por e ka të pamundur të fitojë garën.
“Në këto kushte, gara është tërësisht fiktive. Te Eduard Selami, unë personalisht do kisha shpresë për ta ringritur PD, por nuk ka shanse për ta marrë mandatin e kryetarit të partisë. Faktin që ata po dalin bashkë nëpër takime më pëlqen, sepse Selami ia ka thënë sy gjërat Bashës, por Lul Basha s’ka turp sepse e ha turpin me bukë!”, u shpreh Rrahim Kaleci.
Ish-kreu i degës së PD së Vlorës, Moisi Meminaj, akuzoi Lulzim Bashën për shkelje të statutit dhe i bën thirrje të marrë përgjegjësinë e humbjes.
“Basha duhet të kishte ikur me kohë sipas statutit të partisë. Aq më keq akoma në atë humbje të madhe që pësoi, Basha duhej të dorëhiqej.
Ai mori përgjegjësinë se lista e kandidatëve për deputetë do të ishte liste fituese. Siç merr përgjegjësinë për listën fituese, merr përgjegjësi edhe për humbjen”, tha Meminaj.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ish-kreu i PD së Durrësit, Osman Stafa. Ai thotë se duhet të zbatohet statuti dhe të analizohen shkaqet e humbjes së 25 qershorit.
“Duhet të respektohet statuti dhe vlerat e PD dhe mbi të gjitha qytetarët dhe veçanërisht demokratët. Jepni alternativa zgjidhje duke analizuar rrugën tuaj të gabimeve.
Rriteni veten me vendimet dhe zgjidhjet që bëni. Në vlerat që ju mbartni kemi dhe ne aksionet tona, sepse dhe ne kemi investuar në rritjen tuaj.
PD ka 27-të vite që ka lindur, në rrugën e saj plot suksese dhe dështime, ju më shumë se ne jeni pjesë dhe përfitues nga pushteti i saj, ne thjesht ndamë dhimbjet e mëkateve tuaja”, tha ai.