Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm shtetasit Trim Murataj, efektiv i Krimeve të Rënda në Policinë e Krujës i’u dogj mjeti i tij i parkuar në oborrin e banesës. Ndërkohë, vetëm tre javë më parë, atij i kishin vendosur një sasi eksplozivi në mjetin tjetër në pronësi të tij shkruan JavaNews. Ai deklaroi se tritoli ndaj tij vjen si hakmarrje për operacionet e suksesshme antidrogë që ka drejtuar.
Pak a shumë të njëjtin qëndrim mbajti edhe për djegien e makinës së dytë mëngjesin e sotëm. Ai deklaroi se po kërcënohet sërish nga trafikantët që ka dëmtuar gjatë operacioneve. Por, nëse në rastin e parë kjo pistë vlente për të thelluar hetimet, në këtë rast duket se kolegët e tij ngrenë pikpyetje.
Kjo për faktin se dyshimet paraprake pas kryerjes së verpimeve në vendngjarje flasin më shumë për ngjarje aksidentale se sa atentat ndaj tij shkruan JavaNews. Paraprakisht policia dyshon se zjarri ka ardhur për shkak të një defekti teknik. Mjeti dyshohet se është djegur pas një shkëndije elektrike. Brenda 3 javësh efektvit i digjen dy makina. Këtë herë më shumë duket si fat i keq se sa kërcënim. Të paktën referuar të dhënave të policisë./JavaNews/a.m.