Kërcënohet sërish oficeri i Krimeve të Rënda të Krujës, Trim Murataj. Para tre javësh, mjetit të tij i vunë eksploziv, ndërsa sot, i kanë vënë zjarrit.
Murataj është efektiv i Krimeve të Rënda në Krujë dhe banon në Kamëz. Persona të paidentifikuar i kanë thyer njërin xham të automjetit të tij dhe më pas e kanë spërkatur me benzinë duke i vënë zjarrin.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së hënës, para banesës së tij në Kamëz. Vetë Murataj, si për shpërthimin e mjetit të parë më 23 qershor, ashtu edhe për djegien e mjetit të dytë, thotë se kërcënimet kanë të bëjnë me detyrën e tij si efektiv i krimeve të rënda.
Ai ka thënë në polici para kolegëve, se dy rastet kanë lidhje me operacionet e tij antikanabis. Madje, ai disa muaj më parë ka dalë në një media gjermane në një reportazh filmik, ku shfaqet mes parcelave të drogës në Fushë-Krujë.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, por ende nuk i ka zbuluar autorët./Panorama/a.m.