Shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian i bënë thirrje bllokut që të përshpejtojë pranimin e Malit të Zi dhe të Serbisë, duke thënë se dështimi për të integruar Ballkanin Perëndimor mund të përbëjë kërcënim për sigurinë e gjithë rajonit.
Ministrat dhe zëvendësministrat e Jashtëm të vendeve të Grupit të Vishegradit – Hungarisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Republikës Çeke, si dhe ata të Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë u takuan në Budapest për të diskutuar çështje si: migrimi dhe situata në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë.
“Nëse ne nuk e përshpejtojmë procesin e integrimit evropian, do të përballemi me sfida serioze të sigurisë në gjithë rajonin e Evropës Qendrore”, tha ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.
Szijjarto tha se BE duhet t’i përshpejtojë bisedimet e pranimit me Malin e Zi dhe Serbinë dhe të hapë negociata me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria dhe Maqedonia janë vende kandidate për anëtarësim në BE, por ende nuk i kanë filluar bisedimet e pranimit, ndërsa Bosnja dhe Kosova nuk e kanë ende statusin e kandidatit.
Ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin ndihmë për zbatimin e reformave të nevojshme për t’u kualifikuar për anëtarësimin në BE.
“Situata në Ballkanin Perëndimor është e errët, jo e qëndrueshme… Është e nevojshme të sigurohet se atje ka dialog për forcimin e stabilitetit”, tha Erjavec.
Tensionet mbeten të larta midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Maqedonia dhe Bosnja përballen me ndarje etnike. /REL/b.d