Nga Ilir Yzeiri
Zhvillimet në PD dhe gara që ka nisur për kreun e saj, janë me interes sepse, në këtë rast nuk po luhet vetëm fati i dy pretendentëve për të marrë kreun e PD-së në njërin rast dhe për ta ruajtur atë në rastin tjetër ; jo, më shumë se kaq fushata që ka nisur brenda kësaj force politike është e lidhur edhe me fatin e opozitës në tërësi dhe, nga kjo pikëpamje, ajo na prek të gjithëve. Mirëpo, ashtu siç nisi në fillim, kjo fushatë u duk se do të ishte vijim i asaj garës së parë që vuri përballë Olldashin e ndjerë dhe Lulëzim Bashën. Në vijim duket se ky model nuk po ka gjasa të shfaqet të paktën nga ajo që shohim deri tani. Eduard Selami nuk ka paraqitur asnjë shqetësim kësodore, pra nuk është i shqetësuar për listat e votuesve demokratë apo për maniulimin e mundshëm me anëtarësinë e saj. Megjithatë duhet të presim fundin.
Tradita e partive politike shqiptare në këtë pikë është e trishtë dhe gara të tilla nuk na kanë treguar ndonjë model për t’u mbajtur mend, përkundrazi. Por kjo është një histori tjetër.
Lulëzim Basha pas disfatës së thellë të PD-së në zjgedhjet e 25 qershorit, i ngriu funksionet e tij dhe ia delegoi pushtetin e tij dy nënkryetarëve të cilët menjëherë çelën garën për të zgjedhur se cili do të jetë kryetari i ardhshëm i PD-së, Lulëzim Basha apo ndonjë tjetër. Eduard Selami fitoi dhe ia arriti të zgjidhej si kandidati rival përmes zhurmës dhe akuzave e kritikave të rënda që bënë disa nga të përjashtuarit prej Lulëzim Bashës nga listat e deputetëve të PD-së dhe nga shumë të tjerë që nuk e pranuan ngrirjen e Bashës, por kërkuan dorëheqejen e tij. Selami nuk u përfshi në këtë katrahurë akuzash e kundërakuzash. Ai, që në fillim, u shfaq si një kandidat modern dhe artikuloi menjëherë dëshirën e tij për ta bashkuar PD-në dhe për t’i dhënë asaj imazhin e humbur në gjithë këta vjet. Ndërsa Lulëzim Basha duket i paqartë dhe arsyeja përse ai kërkon të rrijë në krye të PD-së nuk është shumë bindëse. Të krijohet përshtypja se Basha e ka kryer misionin e tij ose nëse do të shpreheshim me realizëm cinik, Basha nuk e kreu dot misionin e tij. Karriera e tij në këta katër vjet në opozitë, në rastin më të mirë, është e paqartë. Në rastin më të keq është e dështuar, por në të dyja rastet është e pëfunduar. Lulëzim Basha në krye të opozitës shqiptare nuk arriti dot të krijojë një frymë të përgjithshme dhe të afrojë rreth PD-së opinionin publik. Gjatë katër viteve në opozitë, ai ndërtoi një ligjërim të varfër dhe qoftë ai vetë, qoftë të rinjtë e plakur që afroi rreth vetes, u bënë të padëgjueshëm dhe u shfaqën në publik si përcjellës banalë të mesazheve agresive të Berishës në Parlament. Lulëzim Basha nuk arriti ta bashkonte PD-në. Ai futi frymën e mosbesimit dhe të ndarjes në të vjetër dhe të rinj. Por këtë ndarje, më shumë e realizoi përmes inatit vetjak dhe jo përmes analizave apo debateve. Gjatë katër vjetëve nuk u mor vesh asnjëherë se cilët ishin shkaktarët e humbjes së PD-së në vitin 2013. Nuk u kuptua kurrë se si do të bëhej ringritja e PD-së dhe nuk u ndërtua një ligjërim publik që të ngjallte shpresën. Gjatë katër vjetëve njerëzit u neveritën me fjalimet tërkuzë të Berishës në Parlament dhe në momentin kur ti bëheshe gati të dëgjoje një ligjërim tjetër, të ndryshëm që t’u tregonte shqiptarëve shpresën, ti dëgjoje të njëjtin tekst dhe për fat të keq e dëgjoje nga Lulëzim Basha dhe nga të gjithë të rinjtë e plakur që ai afroi rreth vetes të njëjtën zhurmë dhe të njëjtin tekst. Kulmi i kësaj mënyre të të bërit opozitë ishte çadra. Mirëpo pikërisht aty Lulëzim Basha bëri edhe kthesën e madhe dhe sipas meje marrëveshja me Ramën në netët 17-18 maj ishte një kapërcim i madh në profilin e tij si lider politik. Ai arriti të shmangë një nga krizat më të thella që ishin shfaqur në skenën politike dhe duke sakrifikuar unin e tij politik i bëri një shërbim të madh Shqipërisë sepse në vend u prodhuan një palë zgjedhje të qeta dhe normale që nuk kishin qenë të tilla më parë. Mirëpo, kjo u duk se ishte vetëm një çast kalimtar sepse pas kësaj, Lulëzim Basha, i ngarkuar edhe me peshën e një triumfi të madh, siç ishte marrëveshja me Ramën, u mbyll në PD dhe atë reformë të thellë që duhet ta kishte bërë në katër vjet, e bëri në dy apo tri net, duke përjashtuar nga listat krerë të spikatur të PD-së, duke hedhur në erë strukturat e PD-së dhe duke vënë në lista kandidatë që në shumë raste përflitej se edhe e kishin blerë atë vend ku i kishte vendosur Basha. Të tjerat dihen, fushata, humbja dhe pastaj ngrirja dhe në fund kandidatura e Selamit.
Nëse ka një figurë që mund të çojë më para profilin modern të Bashës që kulmoi me marrëveshjen e 17-18 majit ky është zoti Selami, i cili pavarësisht se thotë që nuk do ta njohë atë marrëveshje, është shfaqur në skenën politike shqiptare si lideri modern që preferon dialogun përpara konfrontimit. Selami ka një karrierë politike të ndërprerë, por si rrallëkush ai, megjithëse është kryetari i parë i PD-së pas Berishës president, nuk arriti kurrë të çojë deri në fund një projekt politik. Selami ka mbetur në imazhin kolektiva si ana moderne e PD-së, ai faqja perëndimore e saj. Sa herë që PD-ja binte nën thundrën demoniake të Berishës dhe shkatërrohej keqas nga publiku, siç ndodhi në vitin e tmerrshëm 1997, të gjithë thërritnin Selamin dhe dëshironin atë në krye të PD-së sepse ai në të gjitha kuptimet ishte imazhi i munguar i saj, ishte dëshira për të parë një PD moderne europiane dhe të ndërtuar mbi principet e lirisë e jo mbi principet e hurit e litarit, të fisit e të klientëve kriminalë. Sot PD-ja ka rastin e artë që të bëjë një kapërcim epokal dhe të zgjedhë Selamin në krye të saj, sepse ai është i vetmi politikan i PD-së që ka staturën e një lideri. Ai jo vetëm që mund të arrijë të bashkojë të PD-në, por arrin të bashkojë gjithë të djathtën shqiptare. Selami ka tri përparësi mbi Bashën.
E para Selami është historia më e pandotur e PD-së, është tradita më e çiltër e saj.
E dyta, Selami në gjithë këta vite ka ruajtur profilin e liderit të vetmuar e të tërhequr dhe nuk është përzier me asnjë nga bandat politike majtas apo djathtas. Së treti, Selami është një nga figurat që ka mbështetje maksimale nga miqtë tanë euroatlantikë dhe është një nga bashkëbiseduesit më dinjitozë me ta. Për të gjitha këto, nëse do të pyetesha unë për këtë garë, do të thosha se Lulëzim Basha duhet të bëjë fushatë për Selamin dhe të deklarojë se edhe ai mbështet Selamin dhe kështu, ai jo vetëm do të rritet si figurë politike, por në çdo rast ai do të ketë të drejtën legjitime që të kthehet për të garuar në krye të PD-së sa herë që ajo do të ketë nevojë për të. Sot PD-ja ka nevojë për Selamin.