Banorë të zonës së NISH-Tullës në Durrës, ku jeton një pjesë e komunitetit rom, ndjehen të rrezikuar nga prania e të sëmurëve me turbekuloz dhe mosndërhyrja e strukturave shëndetësore dhe policore për izolimin dhe trajtimin e të prekurve nga kjo sëmundje infektive.
Muajin e kaluar edhe mjekë të spitalit të Durrësit dhanë alarmin se numri i të prekurve nga sëmundja e turbekulozit në këtë qytet ka ardhur në rritje.
“Shteti duhet të marre masa për personat që janë të sëmurë, pasi po përhapet në të gjithë zonën këtu. T’i izolojë shteti, pasi ne i dërgojmë fëmijët në shkolla dhe në kopshte”, thotë një banor.
“Një e sëmurë iku nga spitali dhe ka shkuar në Vlorë”, thotë një tjetër për TCH.
“Ju lutem t’i izoloni se po sëmuremi të gjithë. Ne kemi bërë çmos me qendrën këtu, po persona të sëmurë qëndrojnë këtu”, shprehet një tjetër banor.
Në qendrën shëndetësore të zonës, bluzat e bardha pranojnë se shqetësimi është real, por situata konsiderohet nën kontroll pasi vazhdon depistimi i banorëve dhe shtrimi në spital i të sëmurëve dhe pse mbetet problem largimi i tyre nga spitali para mbarimit të trajtimit mjekësor.
“Situata është nën kontroll deri tani. Janë dërguar mbi 70 persona për kontroll në dispanceri dhe personat që janë konstatuar me TBC, dy gra dhe një fëmijë, janë shtruar në spital dhe marrin mjekim. Pjesa tjetër janë të paprekur, po ne vazhdojme të ekzaminojmë persona të tjerë nga komuniteti. Shqetësimi real, po ne vijojmë punën”, thotë Erjola Shehu, mjeke e familjes, Qendra Shëndetësore.
Sipas mjekes së familjes Erjola Shehu, vetëm duke u kuruar personat e prekur mund të shmanget rreziku për përhapjen e mëtejshme në komunitet, ndaj ajo thekson rëndësinë e kontrolleve për diagnostikimin e sëmundjes dhe trajtimin e saj në kohë./a.m.