Pa luftuar korrupsionin, nuk mund të ketë investime të huaja. Kështu theksohet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për investimet e huaja në Shqipëri. Sipas tij, në shumë sektorë dominon korrupsioni dhe kjo ka ngjallur frikë te të huajt.
Ndër sektorët më të korruptuar përmendet Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Procedurat e regjistrimit të pasurisë janë të vështira dhe shumë persona janë ankuar për korrupsion. Ndryshimet e fundit ligjore i japin akses noterit publik që të ketë qasje në regjistrat e pasurive të paluajtshme dhe të konfirmojë pronësinë. Procesi i regjistrimit të pronës mbetet i vështirë. Legjislacioni i pronës është zhvilluar në një mënyrë të fragmentuar dhe të pakoordinuar. Reforma në këtë sektor nuk ka arritur konsolidimin e të drejtave pronësore dhe eliminimin e paqartësive ligjore.
Zbatimi i të drejtave të pronës së paluajtshme nuk është efikas dhe është një burim korrupsioni”, thuhet në raport. Sipas tij, ndërtimet e paligjshme janë një pengesë e madhe për sigurimin e titujve të pronësisë. “Procesi i legalizimit për ndërtimet ilegale në shkallë të gjerë filloi në vitin 2006 dhe është ende në vazhdim. Ka rreth 440.000 ndërtesa pa leje në Shqipëri, shumë prej tyre kanë aplikuar ose janë në proces për legalizim”, thuhet aty. Në të gjithë raportin Shqipëria cilësohet si një vend i papërshtatshëm për investime. Aty është përmendur rasti i Albpetrol, ku thekonte se është një ndër institucionet më të korruptuara dhe për shkak të këtij korrupsioni është shumë e vështirë që të privatizohet.
Problem tjetër renditet prona, ku bëhet thirrje urgjente që të rregullohet. Por kryesori mbetet korrupsioni në nivelin gjyqësor, pasi amerikanët kërkojnë mbështetje juridike. Amerikanët po japin ndihëm e tyre në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe pritet që në shtator të nisë procesi i vetingut. Nëse ai zbatohet sipas planit, shumë shpejt drejtësia do të pastrohet nga njerëzit e korruptuar në gjyqësor dhe në politikë. Sipas raportit në momentin që do largohet korrupsioni, do ketë dhe rritje të investimeve./gazeta sot
a.ç