Erion Piciri, demokrati që shprehu gatishmërinë për tu futur në garë për të marrë drejtimin e PD-së, nuk ia doli dot të bëhej pjesë e saj.
Por edhe pse tashmë është përcaktuar se për kryetar do të jenë përballë njëri – tjetrit Lulzim Basha dhe Eduard Selami, Erjon Piciri është i vendosur për të zbuluar arsyet e eliminimit.
Përmes një letre drejtuar kryesisë ai kërkon llogari për arsyet që e lanë jashtë garës.
REFUZIM KANDIDATURE
(Bie kandidatura, vazhdon lufta)
“Grupi i Bashes refuzoi sot kandidaturen time per kryetar te Partise Demokratike. Argumenti ishte se nuk jam antar partie. E verteta eshte se jam antar i PD-se prej vitit 2003. Vetem ne regjimet autoritar-korruptive u mohohen njerezve te drejtat politike, te drejtat per te kandiduar, per t’i paraqitur antaresise platforma modernizuese te partive dhe vendit ne teresi. E trishte por dhe motivuese per te vazhduar perpjekjet tona, per te kaluar Shqiperine nga kultura e kazermes tek kultura e garave demokratike…”, shkruan ai.
“Privatisht jam njohur nga disa anëtarë të kryesisë së PD se refuzimi im është bazuar në mungesën e presupozuar të anëtarësisë. Ju bëj me dije se jam anëtar i PD-së prej 14 vitesh, nga data 2 tetor 2003. Në cilësinë e anëtarit, e kam pasur emrin në listë dhe kam votuar për garën për kryetar partie të PD-së në vitin 2013, tek shkolla 11 Janari në kryeqytet. Anëtarësinë e kam përmendur edhe tek rezumeja bashkëngjitur kërkesës për kryetar të PD-së dhe e gjeni të fotokopjuar bashkëngjitur kësaj kërkese.
Megjithëse unë besoj se çdo parti e madhe dhe serioze si PD, i ka të dhënat e anëtarësisë”, thotë Piciri në kërkesën drejtuar PD-së.
“Në rastin tim vërtetimi ka qenë lehtësisht i verifikueshëm se kam pasur bashkëpunim në nivelin më të lartë të lidershipit të partisë. Vetë kryetari i partisë ka pasur një fotokopje të dëshmisë time të anëtarësisë të dërguar me email, më datë 24 prill 2015. Në të njëjtën kohë aktiviteti im ka qenë i njohur brenda partisë.
Në katër vitet e fundit jam përfshirë në dy fushatat parlamentare të PD-së: në Berat (2013) si këshilltar fushate dhe në Tiranë (2017) si pjesë e listës për deputet. Në këto katër vitet e fundit që kam jetuar në Shqipëri, kam këshilluar në periudha të ndryshme kryetarin e Partisë Demokratike dhe kam trajnuar tek selia e partisë (nëntor 2014- mars 2015) mbi 300 aktivistë partie nga i gjithë vendi për çështjet e lidershipit politik dhe fushatave elektorale”./a.m.