Stoku i investimeve të huaja direkte kapërceu shifrën 5.8 miliardë euro në tremujorin e parë të vitit. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se krahasuar me një vit më parë, vlera e aseteve që zotërohen nga të huajt në ekonominë shqiptare u rrit me rreth 800 milionë euro.
Por cilët janë sektorët që kanë tërhequr më shumë kapital nga jashtë?
Sipas Bankës së Shqipërisë, në vend të parë renditet informacioni dhe komunikacioni, ku bëjnë pjesë kryesisht investimet në kompanitë telefonike, por edhe ato në “call center”-a raporton TCH.
Në tremujorin e parë të vitit, stoku i investimeve të huaja në këtë sektor llogaritet në 1 miliardë e 220 milionë euro. Në vendin e dytë, sektori më i preferuar nga kompanitë e huaja për të investuar është energjia elektrike dhe gazi.
Këtu përfshihen investimet në ndërtimin e hidrocententraleve koncesionare, por edhe gazsjellësi transadriatik. Sipas Bankës së Shqipërisë, energjia dhe gazi kanë thithur mbi 1 miliardë euro investime të huaja në Shqipëri, ndërkohë që sektori financiar mban vendin e tretë me 952 milionë euro.
Të ndara sipas vendeve, Greqia vazhdon të jetë aksioneri kryesor në ekonominë shqiptare. Asetet e zotëruara nga kompanitë greke në Shqipëri llogariten në mbi 1.2 miliardë euro, ndërsa në vendin e dytë vijnë holandezët me rreth 870 milionë euro./a.m.