Mbrëmë ishte afati i fundit për t’u regjistruar në garën për kryetar të Partisë Demokratike për zgjedhjet që do të zhvillohen në datë 22 Korrik përmes parimit një anëtar, një votë.
Por pas mbylljes zyrtare të afatit, Report Tv mëson se Astrit Patozi nuk është regjistruar në garë.
Pak ditë më parë Patozi deklaroi se do të regjistrohej në garë, por me disa kushte, kryesori ishte dorëheqja e Lulzim Bashës dhe largimi i tij së bashku me stafin nga selia dhe jo ‘ngrirja’ e tij.
Por Basha vijoi që të qëndrojë i ‘ngrirë’ ndërsa përsa u përket kompetencave u shpreh se i delegoi te dy nënkryetarët Edmond Spaho dhe Edi Paloka, si dhe sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani.
Gjithashtu Patozi kërkoi edhe ndryshimin e datës së zgjedhjeve, pasi sipas tij është vendosur në kundërshtim me statutin e partisë Demokratike.
Në këtë pikë edhe Ristani doli në krah të Patozit pak ditë më parë publikisht, pasi deklaroi se statuti u shkel në përcaktimin e datës së zgjedhjeve, por Basha sërish nuk u tërhoq.
Por në një prononcim për Report Tv, Astrit Patozi deklaroi se është regjistruar në garën për postin e kryetarit të PD, por me kusht që të japë dorëheqjen Lulzim Basha.
“Unë jam regjistruar në garën për kryetarin e PD, por nëse do të jetë e barabartë” u shpreh ai. Por burime për Shqiptarja.com nga grupi i punës në PD, që po merret më përgatitjen e zgjedhjeve pohojnë se Patozi nuk i ka dorëzuar dokumentet për t’u regjistruar. /b.d