E ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën ne ‘News24’ drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rozana Vrapi komentoi procesin e provimeve të maturantëve si dhe rezultatet. Ajo tha se më mirë në provime kanë dalë kryesisht shkollat e qyteteve të mëdha, duke përmendur shkollën ‘Ismail Qemali’ në kryeqytet si dhe shkolla të tjera. Vrapi u shpreh se nxënësit e shkollave private kanë dalë më mirë në provime, por nxënësit e shkollave publike kanë rezultate të qëndrueshme.
“Ne bëjmë një analizë dhe i shohim në disa nivele. Shkollat private dalin më mirë se ato publike, por ne na rezulton se qëndrueshmëria më e lartë e ka publiku. Pra nxënësit e ruajnë notën që kanë për 3 vite”- tha Vrapi.
Me tej Rozana Vrapi tha se procesi i korrigjimit është strikt dhe nuk kryhet në qytetin ku zhvillohet provimi. Sa i përket zërave se ka dalë teza e provimit më herët, ajo tha se para orës 10:00, kohë kur ishte provimi teza nuk ka dalë.
“Agjencia jonë ka zhvilluar proces shumë strikt. Ne nuk i korrigjojmë testet në atë qytet ku zhvillohet provimi. Pyetja që ju shtroni është diçka tejet e konsumuar, por para orës 10:00 nuk ka pasur dalje të tezës. Pas orës 10 ajo shpërndahet nga të gjithë. Mesa kam dëgjuar unë teza ka dalë rreth orës 12:00 ku maturantët kanë përfunduar provimin” – tha Vrapi.
Ndër të tjera drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve u shpreh se shumë maturantë janë penalizuar pasi janë kapur me celular dhe mjete të tjera që nuk lejoheshin gjatë provimit.
“Po kemi maturantë që janë penalizuar. Kemi shifra të konsiderueshme ku ata nuk janë toleruar dhe janë skualifikuar nga provimi duke marrë notën 4”,- tha Vrapi.