Gjatë këtyre dy viteve pushtet vendor, LSI disa herë, për çështje të caktuara ka bllokuar nismat e kryebashkiakëve socialistë dhe i ka bashkuar votat me demokratët, duke anuluar projekte të caktuara. Këto zhvillime kanë qenë edhe kur LSI qeveriste bashkë me PS-në, teksa tani që zyrtarisht është në opozitë, kjo parti ka njoftuar pozicion opozitar edhe në këshillat bashkiakë.
“Edhe qëndrimin për këshillat bashkiak unë e kam bërë publik një ditë më parë. LSI-ja do të mbështesë me votën e saj çdo nisëm që do të jetë në ndihmë dhe në mbështetje të qytetarëve. Do të votojë kundër në mënyrë kategorike çdo lloj nisme ngado që të vijë ajo, nga Rilindja apo nga republika e re, që bie ndesh me qytetarët e Shqipërisë. Në çdo këshill bashkiak, në çdo njësi administrative, kudo që kjo të shfaqet”,-tha Vasili në konferencën për shtyp të dorëheqjes ditën e enjte. Për këtë arsye, Edi Rama ka thirrur në takim të hënën edhe kryebashkiakët, për t’ju dhënë instruksione se si mund të menaxhojnë këtë fushatë rajonale me opozitën e re.
Rastet
Rastet e kthesave të forta të këshilltarëve të LSI-së në mbarë vendin kanë qënë të shumta këto dy vite. Këshilli bashkiak i Shkodrës ka miratuar pa votat e socialistëve buxhetin e bashkisë për vitin 2017. Gjatë mbledhjes u pa një lëvizje e papritur e këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët bashkuan votat e tyre me deputetët e djathtë.
LSI-ja ka bashkuar votat me PD-në në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit për të hedhur poshtë kërkesën e Ujësjellës Kanalizimeve për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në masën 20 përqind në Durrës. Kjo kërkesë u konsiderua e tepërt për xhepat e konsumatorëve, ndërkohë që qyteti dhe fshatrat përballen me një situatë të rënduar të furnizimit me ujë të pijshëm.
Edhe diskutimet për Buxhetin e Bashkisë së Durrësit janë shpoqëruar me debate të ashpra ku nuk kanë munguar përplasjet mes PS dhe LSI. Pas debateve në emër të grupit të këshilltarëve të LSI, Jeton Rexhmati deklaroi se nuk do ta votojnë buxhetin duke shënuar kështu një krisje mjaft të rëndë në kampin e mazhorancës në bashkinë e dytë më të madhe në vend. Buxheti 2017 me vlerë 43 milionë dollarë u rrëzua me votat e PD që votoi kundër dhe LSI që abstenoi.
Një tjetër rasti ishte ai në Bashkinë e Përrenjasit, ku LSI-ja bashkoi votat me PD-në për të rrëzuar kandidaturën e PS-së për sekretare të Këshillit Bashkiak. PS kishte propozuar Albina Rirën. Këto raste janë të përsëritura edhe në bashki të tjera. Raste të ngjashme ndodhën edhe në Gjirokastër, Shkodër e Dibër.