Nga Ben Andoni
Një nga ide-projektet më të jashtëzakonshme të kryebashkiakut Erion Veliaj mbetet ajo që lidhet me heqjen e fuçive dhe depozitave mbi çatitë dhe tarracat tona. Megjithë dyshimet që shoqërojnë ide të tilla, ajo u mirëprit ashtu si u anatemua nga një masë jo e vogël e kryeqytetasve sepse tiranasit janë mësuar me mungesën e ujit dhe vështirësitë e verës. Por më shumë me shpërdorimin, që ja bëjmë pikërisht vetë.
I ndërgjegjshëm për këtë situatë Veliaj pak orë më parë ka folur hapur. Ndryshe nga paraardhësit e tij ka treguar se jemi në gjendje emergjence dhe ka kërkuar ngritjen e një Task Force. Por më shumë se kaq ai ka apeluar. “Shqiptarë kryeqytetas mos e shpërdoroni ujin!”
Por, a i justifikon kjo mungesë të gjitha institucionet që lidhen me menaxhimin dhe shpërndarjen e ujit. Është afërmendsh jo. Problem mbetet përcjellja e përgjegjësive dhe mungesa e aftësisë për të parashikuar. Tirana e rritur në mënyrë galoponte dhe pa asnjë plan, kurrë nuk i ka paraprirë si duhet zhvillimit të duhur të infrastrukturës së saj.
Kurse ajo që është më problem lidhet me mungesën e madhe të punëve mirëmbajtëse në strukturat e ujësjellasve. Specialistët e pohojnë vazhdimisht dhe sidomos në kohën kur mungon uji problematika del në pah, por asesi nuk mendohet që më parë. Ka kohë që duhet investuar në kohën e duhur dhe njeërzit e ujësjellasve duhet t’i paraprijnë këtyre problemeve.
Jemi dëshmitarë që rrugët janë hapur disa herë, ashtu si tubacione ndryshohen dhe ndryshohen, kurse zonat që kanë vuajtur për ujë vuajnë e vuajnë.
Pak vite më parë, problemi kryesor që referohej me mungesën e këtij elementi jetik lidhej me atë që lokalitet rreth Tiranës merrnin më shumë se gjysmën e ujit të pijshëm. Politika indiferente për këtë problem i duhej që ta mbante mirë me votuesit potentë të saj në kurriz të problematikës së qytetit. Pra mbyllte sytë para shpërdorimin galopant.
Këtë vendosi në dukje kryebashkiaku i Tiranës. Shumë qytetarë të papërgjegjshëm por edhe fermerë rreth saj ende e shfrytëzojnë ujin pa kriter dhe pa marrë parasysh gjendjen e rëndë të cilën po kalon qyteti. Veliaj ka premtuar dorë të hekurt por edhe shumë njerzillëk.
Pak muaj më parë Ujësjellës-Kanalizime-Tiranë argumentonte se shkak i mungesës së furnizimit me ujë mbetej thatësira e madhe dhe rritja e kërkesës për konsum nga ana e qytetarëve. Teknikisht lidhej me defektet në nënstacionin e pompimit në Bërzullë, kohë më parë me remontin që po kryen Operatori i Sistemit të Transmetimit në stacionin e Qafë Mollës, nga i cili furnizohet një pjesë më e madhe e kryeqytetit. OSHE përplasej me OST dhe anasjelltas.
Dhe, mos mjaftonte kjo problem mbetet dhe financimi dhe mbledhja e pagesës së shërbimit. Realisht nëse sistemi energjetik deri muaj më parë ishte më problematiku, tani radhën e ka zënë sistemi që lidhet me pagesën e ujësjellësit. Shumica e ujit vidhet ose nuk paguhet. Një pjesë jo e vogël shpërdorohet. Zgjidhja e kësaj situate kërkon jo thjesht një reformë të thellë dhe të shpejtë, por edhe një ndërgjegjësim të madh. Këtë kishte parasysh kryebashkiaku në intervistat e fundit. Të gjithëve na duhet, të gjithë duhet të kursejmë. Mbase kështu do i hapet udhë në të ardhmen dhe heqja e fuçive nga tarracat. (JavaNews)