Dritëro Agolli e ka një mesazh përherë për socialistët. Edhe pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit, ndonëse nuk është fizikisht, ai e ka uruar kryeministrin Edi Rama. E ka bërë këtë përmes gjysmës së tij më të mirë, bashkëshortes Sadije Agolli, e cila në një letër të posaçme, i ka dërguar kreut të qeverisë edhe një poezi të vitit 2014, shkruar nga dora “e dridhur” e Dritëroit.
Përmes kësaj letre, e cila botohet sot ekskluzivisht nga “Gazeta Shqiptare”, Sadija i sugjeron kryeministrit të realizojë ato reforma të nisura në drejtësi apo në ekonomi për të përmirësuar jetën e shqiptarëve “që duan vendin e tyre dhe dëshirojnë të jetojnë, të punojnë dhe të mbyllin sytë në këtë vend të bukur dhe shumë të lashtë”. Por, ajo tregon për herë të parë, pas kaq muajsh të ndarjes së shkrimtarit, patriarkut të PS-së, edhe ankimin dhe psherëtimën e tij të fundit, në spital: “Përsëri po zihen këta?!”.
Sadije Agolli, e kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” rrëfen se i mungon Dritëroi në një anë, por në anën tjetër i duket sikur e ka në çdo moment pranë, bisedon me të. Madje, edhe për fitoren e PS-së, ajo e ka informuar. Vajza e tij, Elona ishte edhe dje, ashtu siç bën shpesh, tek varri i të atit, ku bisedon shpesh me të për të gjetur forcë, por edhe fjalët e duhura. Për të mundur gjithë mungesën fizike, Dritëroi u ka lënë megjithatë Sadijes dhe Elonës, mjaft punë për të bërë me veprat e tij, ndaj edhe ato e kanë sërish pjesë të së përditshmes së tyre.
Letra e plotë e Sadije Agollit, drejtuar kryeministrit Edi Rama
I dashur Edi,
Ju uroj shumë suksese në mandatin tuaj të dytë.
Të uroj, në radhë të parë, si djali i një çifti krejt të veçantë dhe dinjitoz për kohën që jetuam, i një babai shumë të talentuar, shumë fisnik, shumë punëtor dhe që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit dhe i një mamaje të fortë, kurajoze, burrneshë, siç i themi ne veriorët.
Të uroj që edhe Ti Edi, me ekipin tënd dhe popullin përkrahës që të dhanë votat në zgjedhjet e 25 qershorit të lini gjurmë të mira me këtë mandat të dytë dhe të na nderosh edhe si pasardhës i denjë i brezit tonë, që përfaqësojmë një të kaluar jo pa luftë, jo pa përpjekje dhe sakrifica për vendin tonë, Shqipërizën e përvuajtur, por me histori të bukur në të gjitha fushat, që po e trashëgoni Ju në vitin 2017.
Në këto 27 vjet luftë dhe përpjekje për të ndërtuar demokracinë e vërtetë në Shqipëri, krahas shumë ndryshimeve në të gjitha drejtimet si dhe mentalitetet, më ka bërë përshtypje të veçantë edhe formimi, zhvillimi dhe përparimi i oratorisë, si bazë dhe institucion i demokracisë që në antikitetin e largët në Greqi e Romë, e cila në përgjithësi tek ne, me raste tepër të veçanta, ka qenë shabllone, me parafabrikate, e njëllojtë, për dekada të tëra.
Do të dëshiroja që ju ta zhvilloni dhe përsosni më shumë, jo vetëm me figura letraro-artistike, por me konkretizim real të premtimeve, duke mos e ndotur me fjalor të pistë, sharës dhe fyes për cilindo dëgjues të gjuhës së bukur shqipe./gsh.al